‘Taktika komuniste kundër protestës’, Hasimja: Brezat e rinj e kanë tejkaluar diskursin ofendues të Ramës…
Gjuha ofenduese dhe denigruese e kryeministrit ka arritur nivele të reja degradimi, duke u zhvendosur nga etiketimet e kundërshtarëve politikë te fyerjet me natyrë personale apo estetike. Përdorimi i fjalëve si "fashistë", "rrugaçë", e deri te komentet e fundit me natyrë mizogjene mbi veshjet e vajzave në rrjetet sociale, ngrenë pikëpyetje të forta mbi qasjen e kreut të qeverisë ndaj hapësirës publike të komunikimit.
Politologu Ermal Hasimja ishte i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv dhe në bisedë me moderatorin Flavio Qarri tha se. ky fjalor vjen si një përpjekje e vjetër për të gjetur gjuhën e "popullit të thjeshtë" dhe për të ruajtur mbështetjen e atij kontingjenti shoqëror që voton pa kushte. Megjithatë, protestat e fundit masive kanë vërtetuar se ky stil denigrues nuk është më as në modë dhe as i pëlqyer. Përpjekjet për të kompleksuar dhe demonizuar protestuesit në shesh, duke u përpjekur t'i etiketojnë kërkesat e tyre si jo-legjitime apo duke i trajtuar si njerëz "të gënjyer" – një metodë e mirënjohur e propagandës së vjetër komuniste – kanë dështuar përballë realitetit, tha Hasimja.
Makineria e komunikimit qeveritar krahasohet metaforikisht me një maune të rëndë, e cila e ka të pamundur të marrë kthesën në kohë përballë shpejtësisë dinamike të rrjeteve sociale. Reagimi i shoqërisë, veçanërisht i brezave të rinj përmes protestave krijuese dhe memeve, tregon një nivel tjetër formimi. Rinia shqiptare e ka tejkaluar plotësisht diskursin ofendues të kryeministrit, duke e lënë në hije imazhin e tij të dikurshëm si një figurë intelektuale apo "cool" që supozohej të diktonte standardet e komunikimit.
Flavio Qarri: Si po shkon kjo marrëdhënie e kryeministrit me popullin që presupozohet të qeverisë. Them që kemi ftuar njerëz që edhe mund ta bëjnë këtë analizë pa shumë emocion siç është Ermal Hasimja. Mund besoj ke një eksperiencë të gjatë me këtë marrëdhënie.
Ermal Hasimja: Unë mund të kem ndonjë emocion se dhe unë njeri jam. Pastaj duke qenë edhe shpesh aty në protestë edhe unë jam një nga këta fashistët, edhe çfarë ishin të tjera, hajvanët, edhe rrugaç.
Flavio Qarri: Hasimja, e kemi parë kryeministrin, të paktën hera e fundit që ka qenë kaq nervoz ka qenë në zgjedhjet e Himarës, kur kandidat ishte Fredi Beleri dhe ai arriti në etiketimet edhe estetike të ballit të Fredi Belerit për vetullat e tij, nëse të kujtohet asokohe. Tani po merrej me, turp më vjen që do ta them këtë, po me rripin e brekëve të gocave që punojnë me rrjetet sociale. Pse ky degradim, kjo bjerrje qoftë edhe e standardit minimal të hapësirës komunikuese për një zyrtar të zgjedhur apo, një zyrtar, e lëmë këtë pjesën e zgjedhur se mund të ketë ndasi...
Ermal Hasimja: Në fakt, një nga gjërat që ndoshta ka menduar Edi Rama gjatë gjithë këtyre viteve është që ka arritur të gjejë atë frekuencën ose gjuhën e popullit të thjeshtë. Ky është vizioni që ai ka për popullin e thjeshtë. Dhe në fakt, deri diku dhe mund t'i funksionojë, se ka njerëz që nga ata që thonë që 'pa ujë, e pa drita, e pa bukë rrimë, po do votojmë për Edi Ramën'.
Por në fakt, protestat e fundit treguan që kjo lloj gjuhe, ky lloj stili nuk është më në modë dhe nuk është më as i pëlqyer në përgjithësi. Dhe e kanë nxjerrë dhe këtë lloj gjuhe si tashmë jashtë funksionit.
Flavio Qarri: A ka qenë kjo një tentativë për t'i kompleksuar kryeministrit njerëzit në shesh?
Ermal Hasimja: Po patjetër, patjetër, se gjithmonë në raste të tilla përpjekja e parë është për t'i diabolizuar, demonizuar e tjerë e tjerë, mos të përdorim termat e huaj, pra për t'i etiketuar ata si njerëz të cilët nuk kanë kërkesa legjitime, ose nuk janë aty në mënyrë legjitime. Dhe rrjedhimisht nuk duhen marrë parasysh, pastaj në radhë të parë, ky është një mesazh që u drejtohet mbështetësve të vet. Pastaj dhe opinionit publik. Tani ti e sheh që opinioni publik ndihet më i përfaqësuar sidomos pjesa e pavarur nga ata që janë në shesh sesa nga kryeministri. Problemi është që kryeministri është në një maune të madhe komunikimi që ka kushedi sesa rrota edhe bagazh nga mbrapa dhe e ka shumë të vështirë që të marrë kthesën me gjithë atë shpejtësi komunikimi që ka.
Flavio Qarri: Se me rrjetet sociale lëviz gjëja shumë shpejt.
Ermal Hasimja: Pikërisht, sepse në momentin që merr kthesën e dimë si funksionon, do e marrë maunia përpara, domethënë praktikisht kjo është ajo çfarë po ndodh. E ka të vështirë të kthehet edhe për shkak të reflekseve, po edhe për shkak të stilit të komunikimit që ka ushqyer gjatë gjithë kësaj kohe. Pavarësisht se në një moment ose në një tjetër, njësoj siç ndodhi atëherë me rastin e armëve kimike, mund edhe të detyrohet pastaj që të fillojë dhe ta përshtasë gjuhën e tij. U përpoq në fillim që ta bënte këtë pjesërisht duke u përpjekur që të krijonte një lloj ndarje. 'Keni dalë në shesh, unë ju respektoj po shiko se jeni të gënjyer'. Në qoftë se je brez shumë i ri domethënë, por ata që i mbajnë mend librat e kohës së komunizmit e mbajnë mend sesi flitej atëherë për njerëz që ishin të gënjyer nga propaganda e Ballit Kombëtar, e fashizmit e të tjera e të tjera. Në fakt s'ishin njerëz të gënjyer, ishin njerëz që gjendeshin në anën tjetër të luftës civile në raport me partinë komuniste dhe s'ishin fare të gënjyer. Po ishin nacionalistë që besonin që komunizmi ishte e keqja për Shqipërinë më e madhe edhe sesa pushtuesit. Kështu që e njëjta gjë është duke ndodhur dhe tani, i ka përdorur këto gjëra. Janë në stilin e tij, por protesta tregoi edhe për shkak të gjithë stilit të protestës me memet, me të gjitha ato, që shoqëria shqiptare dhe sidomos brezat e rinj, janë në një tjetër nivel në raport me kryeministrin. Domethënë e kanë tejkaluar diskursin e kryeministrit…