‘Nëse shënoj, do të festoj me flaut’, si Mbappe e mbajti premtimin në fitoren ndaj Senegalit

“Po të shënoj kundër Senegalit, do të festoj duke imituar një flaut.” E tha dhe e bëri. Në mbrëmjen kur u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Francës, Kylian Mbappé mbajti premtimin që i kishte bërë disa ditë më parë prezantuesit James Corden.

Arsyeja? Sulmuesi francez kishte treguar se kur ishte fëmijë, prindërit e tij e kishin këshilluar të mësonte t’i binte flautit. Kështu, pasi bëri festimin e tij të zakonshëm me krahët e kryqëzuar, sulmuesi i Real Madridit simuloi se po luante me instrumentin muzikor.

Në një fragment të transmetuar nga Fox Sports, gjatë një bisede për emisionin “Carpool Karaoke”, Corden i dha Mbappes një flaut dhe i kërkoi të luante disa nota. “Kam humbur gjithçka”, bëri shaka sulmuesi, duke pranuar se tingujt e parë nuk ishin perfektë. Më pas performanca u përmirësua dhe Corden i sugjeroi që ta përdorte atë si festim pas një goli.

“Do ta bëj për ty”, iu përgjigj francezi. Dhe fjalën e mbajti.

Pas ndeshjes, Mbappe komentoi edhe paraqitjen e tij dhe të skuadrës: “Sinqerisht, nuk besoj se jemi nisur tashmë drejt suksesit, por është gjithmonë e rëndësishme ta nisësh mirë një kompeticion. Kjo të jep më shumë qetësi, aq sa mund të ketë qetësi në një Botëror. Kemi parë vështirësitë që kanë hasur skuadrat e tjera. Ndeshja e sotme nuk ishte e lehtë, por ne e dimë se mund të bëjmë diferencën në çdo moment”.

Më pas ai shtoi: “Nuk kam asnjë hakmarrje ndaj atyre që më kritikojnë. Nëse do të luaja për t’iu përgjigjur atyre, do të duhej të qëndroja në fushë deri në moshën 80-vjeçare. Unë luaj për të bërë histori, për vendin tim dhe për ta çuar skuadrën time në finale e për të fituar Kupën e Botës. Tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse ndaj Irakut duhet të fitojmë për t’u kualifikuar”.