Autoriteti i Aviacionit Civil njofton bllokimin e përkohshëm të hapësirës ajrore pranë Pallatit të Kongreseve

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar vendosjen e një kufizimi të përkohshëm të fluturimeve mbi zonën e Pallatit të Kongreseve më 17 qershor 2026, nga ora 18:00 deri në 21:00. Masa merret në kuadër të aktiviteteve për festimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me kërkesë të autoriteteve të sigurisë.

Gjatë kësaj periudhe, nuk do të lejohet operimi i mjeteve ajrore pa pilot (dronë) brenda zonës së kufizuar, ndërsa mediat dhe subjektet e tjera janë ftuar të shmangin planifikimin e fluturimeve në këtë hapësirë.

Njoftimi:

Autoriteti i Aviacionit Civil ju informon se, në kuadër të aktiviteteve për festimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të sigurisë dhe në bashkëpunim me Albcontrol, do të vendoset një kufizim i përkohshëm i fluturimeve mbi zonën e Pallatit të Kongreseve.

Kufizimi do të jetë në fuqi më datë 17 qershor 2026, nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (ora lokale), në një lartësi deri në 120 metra mbi nivelin e detit me nje rreze 150m nga qendra e Pallatit te Kongreseve, dhe do të publikohet nëpërmjet NOTAM përkatës.

Për këtë periudhë kohore, operimi i mjeteve ajrore pa pilot (dronë) në zonën e kufizuar nuk do të lejohet.

Duke marrë në konsideratë se disa media mund të planifikojnë përdorimin e dronëve për mbulimin mediatik të aktivitetit, ju lutemi të merrni masat e nevojshme për të shmangur planifikimin ose kryerjen e fluturimeve gjatë periudhës së kufizimit.

Për çdo sqarim të mëtejshëm, mbetemi në dispozicionin tuaj.

Me respekt,

Autoriteti i Aviacionit Civil