'Shqipëria po projektohet nga të huajt'/ Kadiu: Revolta në shesh, kundër një modeli zhvillimi që nuk pyet qytetarët

Teksa komentoi protestën e qytetarëve shqiptarë, të mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, drejtori ekzekutiv i Citizens Channel, Lorin Kadiu, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “A Show” me Adi Krastën në SYRI TV, ngriti shqetësime mbi modelin e zhvillimit që, sipas tij, po i imponohet vendit.

Kadiu tha se aktualisht po lexon librin “The Albanian Files”, i cili ka parathënien e kryeministrit Rama, dhe se përmes tij po kupton më shumë mbi marrëdhënien e pushtetit me arkitekturën, hapësirën publike dhe burimet natyrore.

Sipas Kadiut, edhe pse një pjesë e madhe e këtyre projekteve nuk janë materializuar, libri paraqet një vizion të qartë për Shqipërinë, të cilin ai e cilësoi si “krijimin e një shteti resortesh”, të konceptuar nga arkitektë të huaj dhe jo nga qytetarët shqiptarë.

Ai theksoi se në dokument paraqiten projekte me përmasa të mëdha, përfshirë ndërtimin e qyteteve të reja dhe miliona metra katrorë zhvillim urban, ndërsa argumentoi se protesta po tregon qartë kundërshtimin qytetar ndaj këtij modeli.

Duke iu referuar pjesëmarrjes së tij në protestë, ai tha se gjatë 17 ditëve në terren ka dëgjuar një revoltë të fortë të qytetarëve.

Sipas Kadiut, modeli i zhvillimit që po ndiqet po ushqehet nga burime të errëta financiare dhe po imponohet në mënyrë autoritare, pa konsultim publik.

Ai solli në vëmendje edhe dokumentarin “Tirana Vertikale”, të publikuar së fundmi nga Citizens Channel, i cili trajton fenomenin e ndërtimeve të larta në kryeqytet.

Kadiu përmendi gjithashtu rastet e Divjakës, Rrjollit dhe Zvërnecit, ku sipas tij qytetarët kanë kundërshtuar kufizimin e aksesit në natyrë dhe pronat publike.

Ai paralajmëroi se zonat e mbrojtura si Divjaka, Butrinti, Kune-Vaini, Vjosa, Zvërneci dhe Rana e Hedhun po përballen me presione zhvillimore, ndërsa theksoi se “vizioni i një Shqipërie resortesh dhe kullash” rrezikon të materializohet plotësisht nëse nuk ndryshojnë politikat dhe kuadri ligjor që e favorizon atë.

Kadiu:

Unë këtë kohë po lexoj një libër, që quhet "The Albanian Files" që ka parathënien e kryeministrit, dhe në fakt aty po mësoj shumë. Pra po mësoj shumë për marrëdhënien e pushtetit me arkitekturën, me hapësirën, me burimet natyrore. Dhe kam mësuar që janë mbi 520 projekte nga 60 studio ndërkombëtare arkitekturore, të cilët as nuk e fshehin faktin që janë ftuar këtu personalisht nga kryeministri, as nuk i fshehin lidhjet, as nuk i fshehin përshtatjet për gustot e tij, do të thoja unë.

Dhe këtu kemi të bëjmë me patjetër një pjesë shumë të madhe projektesh që nuk janë materializuar, pra ose mund të kenë humbur konkurset. Po ajo që nëse e përmbledhim atë libër shumë voluminoz, mbi 800 faqe, mund të deduktojmë është një vizion i qartë për Shqipërinë. Që është vizioni i krijimit të një shteti resortesh, të menduar, të skicuar, të vizatuar nga të huajt, jo nga shqiptarët.

Aty kemi projekte që kanë përmasa do të thoja të frikshme, pra ndërtim qytetesh të tëra të reja. Kemi miliona metra katrorë, se nuk dua të futem në shifra dhe të lodh edhe dëgjuesit, po kemi qartazi një vizion që sheshi po tregon që qytetarët nuk e pranojnë. Dhe ky vizion duhet të konsultohet, ky vizion do të duhej të ishte transparent që ne mos të shkonim deri këtu.

 

Në të 17 ditët që kam qenë në protestë, në orë të tëra, kam dëgjuar një revoltë të jashtëzakonshme të qytetarëve ndaj gjithë klasës politike, pra të gjithë kanë thirrje për t'i larguar të gjithë sepse njerëzit janë të lodhur. Dhe deri vonë ka qenë sekret publik, por tani sapo vjen e po bëhet më pak sekret dhe më shumë publik, simbioza e botës së krimit me botën e ndërtimit.

Pra ky vizion jo vetëm që nuk na është vënë ne për ta shqyrtuar, për ta konsultuar, po vjen në mënyrë autoritare vertikale dhe po ushqehet nga rrjedhat e paligjshme të errëta të parave, ku për fat të keq shumë pak nga kush ka pasur pushtet dhe para ka mbetur pa u përfshirë. Ajo që shikohet si zgjidhje imediate patjetër është të dëgjohen ata qytetarët që janë aty në shesh.

Së fundmi kemi publikuar një dokumentar që quhet "Tirana Vertikale" që merret specifikisht me ndërtimin dhe atë fuqi që po i imponohet kryeqytetit me 140 projekte kullash, një pjesë e madhe e të cilave po materializohen. Kjo është një dhunë ndaj të ardhmes së të rinjve që duan të ndërtojnë jetën këtu, një dhunë ndaj atyre qytetarëve që u merren burimet, u merret uji, toka, prona, u vihen gardhe.

Dhe simbolika e rrëzimit të gardheve që ndodhi në Divjakë, në Rrjoll, në Zvërnec... tregon që dikush na ka privuar nga një e drejtë për të gëzuar natyrën, pronën publike që i takon çdo qytetari të kësaj republike. Një sulm ndaj gjithë natyrës, ndaj zonave të mbrojtura: Divjakës, Butrintit, Kune-Vainit, Vjosës, Zvërnecit, Rana e Hedhun. Është një Shqipëri resortesh dhe kullash, që nëse diçka nuk ndryshon, do të materializohet sepse kuadri ligjor e lehtëson këtë gjë.