VIDEO-‘Rrethim institucioneve’/ Andi Tepelena zbulon skenarët: Protesta do të vazhdojë deri në fund
Aktivisti Andi Tepelena, i ftuar në emisionin ‘A Shoë’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për protestën qytetare që po vijon prej 17 ditësh, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve dhe duke artikuluar qëndrime të forta politike kundër qeverisë.
Tepelena deklaroi se protesta ka nisur si reagim spontan dhe është shndërruar në një lëvizje qytetare me pjesëmarrje të gjerë, veçanërisht të të rinjve. Sipas tij, nuk ekziston një strukturë e centralizuar drejtuese, por një organizim horizontal i bazuar te rrjetet sociale dhe bashkëveprimi i qytetarëve.
Duke folur për karakterin e protestës, Tepelena tha se ajo është ‘antiqeveritare’ dhe e drejtuar kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa shtoi se pjesëmarrësit synojnë ndryshim politik përmes presionit qytetar. Ai paralajmëroi gjithashtu vijimin e protestave dhe organizimin e një proteste kombëtare në fundjavë, ku pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora.
Tepelena foli edhe për përshkallëzimin e formave të protestës, duke përmendur ‘rrethim demokratik të Kryeministrisë’ dhe më pas edhe të institucioneve të tjera, si pjesë e strategjisë së lëvizjes. Sipas tij, protestuesit nuk synojnë sulmin ndaj institucioneve, por ‘çlirimin e tyre nga keqqeverisja’.
Tepelena theksoi se synimi final është dorëheqja e kryeministrit dhe një ndryshim politik përmes presionit qytetar, ndërsa u shpreh se protestat do të vijojnë me intensitet në ditët në vijim. Protesta para Kryeministrisë vijon prej 17 ditësh me pjesëmarrje të qytetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë civile.
Intervista e plotë:
Adi Krasta: Andi përshëndetje dhe faleminderit që ti po flet me mua drejtpërdrejt nga sheshi.
Andi Tepelena: Përshëndetje Adi, gjithmonë kënaqësi të flasësh me ty.
Adi Krasta: Atëherë, le ta shohim pak. Ka një shqetësim këto kohë, këtë ditë. Është folur se nuk dihen kush janë organizatorët ose grupi organizator dhe ka hamendësime dhe natyrisht mbas një periudhe prej 16 ditësh fillojnë bëhen të natyrshme jo vetëm hamendësimet, por teoritë e konspiracionit. Thashethemnaja e cila shoqëron gjithmonë zhvillimet e kësaj natyre. Andi, a nuk mundesh të flasësh ti me ata djem e vajza që ata në një moment të caktuar të publikojnë, të tregojnë kush organizon, çfarë qëllimesh kanë, cilat janë motivet, ku duan të mbërrijnë dhe si do ta realizojnë qëllimet e tyre kryesore?
Andi Tepelena: Faleminderit për pyetjen Andi dhe më jep mundësi të sqaroj njëherë e mirë këtë enigmë apo teori konspiracioni. E kemi thënë disa herë, kjo protestë, kjo revoltë, bile do preferoja fjalën revoltë, ka nisur menjëherë mbas përplasjes të policisë me protestuesit në Zvërnec.
Aty ishte shkëndija e gjithë kësaj proteste dhe më pas u vazhdua tek drejtoria e policisë ku tre-katër aktivistë të zellshëm për çështjet mjedisore i morën, i lanë në, tek policia dhe më pas u bashkëngjitëm të gjithë ne, u bashkëngjitëm ne qytetarë, aktivistë, të rinj e të reja.
Pra nuk është se ka një kokë e cila ka përcaktuar një skenar se si kjo protestë, kjo revoltë do të vijonte. Pra çdo gjë ka nisur në mënyrë spontane, janë thirrur njerëzit përmes rrjeteve sociale dhe pastaj tashmë kjo është një realitet.
Një grup njerëzish të rinjsh, të reja, që unë më parë me thënë të drejtën as nuk i njihja, kryesisht janë studentë, të cilët janë bashkuar për të krijuar një strukturë që është horizontale, nuk ka një hierarki, por kemi dalë për një qëllim të vetëm: për të ngritur popullin kundër qeverisë, është një protestë antiqeveritare kundër Edi Ramës.
Emrat janë, në këtë pikë nuk e di se sa rëndësi mund të kenë, po nismëtarët e protestës në fillim janë Arben Kola, është Arilda Lleshi, dhe aktiviste e rrjetit, kështu që në këtë pikë s'ka asnjë lloj enigme. Pastaj u bashkëngjitën aktivistë të një fare mirë që janë prej 15 vjetësh në fusha të ndryshme, aktivistë të mjedisit, aktivistë politikë e të tjerë, e u bashkuan me vullnet të mirë.
Por siç e thashë, ne jemi një grup që merremi me mirëmbajtjen e protestës, mbarëvajtjen e protestës, kryesisht pjesën logjistike. Pjesa tjetër pastaj janë qytetarë të cilët po e bëjnë protestën dhe nuk ka nevojë fare për një regji qendrore kjo protestë.
Adi Krasta: E kuptova Andi, po ka një lloj nga njerëz që, nga të gjithë ne që kemi një sjellje pak ndoshta edhe lehtësisht paternaliste ndoshta, po nuk e vë në dyshim edhe sinqeritetin me të cilin duan ta shohin protestën të ketë sukses. Për shembull kemi disa shqetësime që më duken fare të natyrshme, natyrisht duke marrë pjesë në protestë dhe duke mbështetur protestën e cila është e jashtëzakonshme dhe kjo duhet thënë pa ekuivok. Por e lidhur gjithmonë me realizimin e qëllimit të saj. Tashti këtu vijmë tek një element që më duket interesant për ta diskutuar me ty. Në një nga fjalimet me të drejtë një folëse tha 'o njerëz të bukur' dhe ata të bukur janë për hir të së vërtetës dhe gjesti është jashtëzakonisht i bukur, po njerëz të bukur përballë kryeministrit Rama, nuk mund t'ia dalin atij. Se kryeministri Rama nuk është si kryeministrat e tjerë të Shqipërisë, të cilët kanë ikur me votë. Kryeministri nuk ikën as me votë as pa votë. Kryeministri nuk merr vesh, kryeministri është si fëmijët e përkëdhelur që marrin vesh me dru. Siç e kuptimi që i bie mamaja nga një çikë mbrapa në vithe, pam, që t'i japë një shpullë. Në këtë sens, kam një pyetje: A e kanë kuptuar këta që ky nuk është një kryeministër që ikën me mesazh të bukur? Ky kryeministër, e para e punës, ikën, në qoftë se ikën, ikën kur vihet në atë ring kur kapet keq cepi për t'i treguar atij që në qoftë se ti nuk e bën këtë, ne kemi një, dy, tre, asa nën mëngë. Pra ku jemi ne me këtë ballafaqim, se me bukuri e me fjalim, ky djalë nuk merr vesh. Ti e di këtë më mirë se kushdo tjetër aty.
Andi Tepelena: Tani ata të rinjtë, kryesisht të rinjtë, janë të vetëdijshëm për arrogancën dhe dhunën që përdor kryeministri. Domethënë nuk ka asnjë lloj dyshimi. Por janë të rinj të cilët janë të edukuar me një stil europian të të bërit protestë.
Kjo do të thotë që janë të rinj që duan të bëjnë ndryshimin përmes mesazheve, përmes një lëvizje paqësore, emancipuese, europiane. Por kjo s'do të thotë që janë të butë, nuk janë qengja të butë, janë të durueshëm por dhe shumë të vendosur për t'i shkuar deri në fund. Që do të thotë, ne çdo ditë denoncojmë keqqeverisjen, çmontojmë propagandën, çmontojmë dezinformacionin e kryeministrit për ta bërë tashmë mbretin lakuriq.
Dhe kjo është një punë jona e përditshme, pasi kemi kundër të gjithë makinerinë propagandistike të kryeministrit, me media të kapura, me portale të ndryshme e të tjerë. Por tashmë fuqia e kësaj lëvizjeje, e kësaj proteste është te pjesëmarrja.
Pra të rinjtë, edhe pse ka një dezinformacion shumë të madh, prapë marrin pjesë të vendosur dhe janë të bindur t'i shkojnë deri në fund. Se njerëzit kërkojnë një deadline, kur do jetë një deadline? Se mos lodhemi, se vapa, se nuk do kemi më aftësi biologjike, fizike për të qëndruar.
Unë besoj se dita ditës rritet pjesëmarrja. Patjetër që do vijë një ditë që do të ketë një rrethim demokratik të kryeministrisë. Dhe duhet bërë e qartë për publikun, nuk jemi për të sulmuar institucionet, sepse institucionet janë tonat, janë të paguara nga taksapaguesit.
Ne kemi nevojë për institucionet, i mbrojmë. Por për të bërë një rrethim, për ta shpëtuar institucionin nga keqbërësit, nga keqbërësi, nga Edi Rama. Dhe kjo është mënyra më e mirë që ai të dorëzojë zyrat, sepse është fuqia e popullit që do e detyrojë të dorëhiqet.
Tashmë ne do organizojmë dhe protestë kombëtare, ditën e shtunë, sepse është dita e emigracionit dhe do ftohen të gjithë emigrantët shqiptarë nga diaspora, kudo ku janë, nga Amerika, kanë rezervuar tashmë autobusë, avionë, dhe do jetë një, mendoj, akoma më madhështore se data 14 apo ajo dy ditë më parë të lidhjes së Prizrenit.
Dhe do njoftojmë pas kësaj menjëherë të shtunën tjetër një protestë tjetër të madhe kombëtare derisa ta detyrojmë Edi Ramën të japë dorëheqjen. Unë uroj që mos të ketë dhunë nga ana e policisë, sepse policia, kordoni policor tashmë u ça në atë protestën e parë, pra populli i tregoi fuqinë.
Natyrisht ne me policinë nuk kemi asgjë, sepse në fund fare janë njerëz të punësuar, njerëz të shtetit. Por e kanë kuptuar fuqinë e popullit, forcat e popullit. Dhe unë besoj se me një qeveri të ardhshme të përgjegjshme, teknike, ata policë të cilët do dorëzojnë uniformën dhe do t'i bashkohen popullit, do të jenë të nderuar dhe do marrin medalje nderi.
Për këtë s'dua të them që të mos bëjnë punën e tyre që u takon, por ama fuqia e popullit është e madhe. Çdo ditë rritet pjesëmarrja. Tashmë janë bashkuar shumë edhe të huaj, janë aktivistë të çështjeve mjedisore të cilët duan një Shqipëri e cila të ketë zonat e saj të mbrojtura dhe mos të betonizohen dhe mos të kthehen në funksion të real estate, kryesisht sepse me sa duket Edi Rama është kthyer në një sekser real estate imobiliar, që nuk ka asgjë me zhvillimin e qëndrueshëm apo me një ekonomi e cila respekton mjedisin, por dhe zhvillimin e komuniteteve.
Adi Krasta: Dua të qëndroj me ty edhe, nuk e di nëse më dëgjon... të kërkoj falje meqë ra fjala, komplimente kisha parë shumë lloje intervistash e të intervistuarish por ecja jote aty është jashtëzakonisht televizive. Unë e kuptoj që ndoshta ti nuk e ke bërë me qëllim Andi, po ajo të shkon ty jashtëzakonisht shumë edhe të komplimentoj me gjithë zemër. Gjithashtu unë jam në gjendje të kuptoj dhe të e kuptoj kujdesin me të cilin ju po menaxhoni, po mirëmbani jo vetëm protestën por narrativën e saj, let's say mënyrën se si po e formëson mesazhin. Dhe për kam një merak për atë që quhet segmenti i fundit. Natyrisht opozita shqiptare ka bërë, opozita po mendoj opozita zyrtare, opozita profesionale, ka bërë protesta shumë të mëdha, të forta, por të cilat nuk kishin mbërritur këtë element të fermentimit popullor të të gjithë njerëzve që vijnë aty me një lloj pasioni, me një lloj sinqeriteti rinor. Dhe natyrisht ku ka dhe një fuqi që ta jep të qënit i paqtë në këtë rast. Por është folur me ta dhe është folur vazhdimisht për atë që quhet segmenti i fundit. Segmenti i fundit i cili po duket i gjatë. Në këtë sens Andi, kam idenë që duhet ta flasim edhe për ata që na dëgjojnë dhe që janë nëpër shtëpitë e tyre, populli i majtë apo i djathtë apo në qendër gri. Dua ta flas pak për këtë, mbasi ka ndodhur një revolucion i flamingove, të bukur, të mirë, të jashtëzakonshëm, me qen e me mace, me vajza e me djem, me fëmijë të vegjël që pikturojnë ashtu me një sens lirie të jashtëzakonshme. Ato mund të ndodhë që të ballafaqohen jo vetëm me indiferencën dhe paturpësinë e një kryeministri që nuk e ka hequr vota për shkak të blerjes e të tjera. Por në segmentin e fundit pastaj ai mund të bëhet i ashpër, mund të bëhet gjithashtu indiferent por i prerë, mund të bëhet problematik. Në këtë sens, i duhet ballafaquar performanca e tij me një tjetër lloj performance të kësaj proteste. Pyetja ime është, a e ka vetëdijen, dhe ti e di shumë mirë që unë kam pikëpyetje të mëdha për kulturën e Generation Z. Generation Z janë njerëz që janë shumë mirë që janë dhe ne i duam fort se i kemi fëmijë, po kemi një dyshim të madh për sensin e tyre të përmbajtjes, të përmbajtjes për të kontentit, për kulturën historike dhe për vendimmarrjen e ftohtë. Duhet ta tregojnë veten ata dhe ka momente dhe protesta, kam përshtypjen që do ta tregojë veten në një moment të caktuar. Pyetja është, në ballafaqimin e fundit Andi, a do të dijë kjo protestë të operojë në mënyrë efektive?
Andi Tepelena: Kjo protestë dhe po maturohet, po strukturohet në një farë mënyre. Na janë bashkuar shumë vullnetarë të rinj, sidomos studentë, të cilët nga shkencat politike, nga shkencat juridike, të cilët mendojmë që nesër do jenë lidershipi. Ata që do bëjnë një ndarje sot, ata po përgatiten në një farë mënyre për të bërë një hap tjetër, për t'u ndarë nga klasa e vjetër politike.
Mbi të gjitha le ta themi hapur tash, kjo është një lëvizje kundër klasës së vjetër politike 35-vjeçare. Pra ajo që mendohet është për t'i lënë stafetën të rinjve, këtyre të rinjve që po protestojnë, sepse mbi të gjitha kanë treguar që janë atdhetarë, atdhetarë shumë të mirë, do të duan të japin një kontribut për vendin e tyre.
Dhe është një gjeneratë Z e cila po na habit të gjithëve. Menduam se janë apatikë, janë të indiferentë ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, por po kuptojmë që janë shumë të interesuar që punët të ecin në këtë vend, dhe besoj se do bëjnë një ndryshim cilësor.
Ja është epoka e rrjeteve sociale, fatmirësisht janë rrjetet sociale që i kanë thirrur këtu në shesh, ata komunikojnë me njëri-tjetrin në rrjete, flasin, organizohen, janë fantastikë, biles janë dhe më pak të zhurmshëm sesa ne më të vjetrit, dhe i bëjnë punët me një kreativitet të jashtëzakonshëm, po shoh dhe një vendosmëri të madhe.
Janë ata që po na shtyjnë ne aktivistët e vjetër për ta çuar përpara këtë kauzë. Pra përgjegjësia është e dyfishtë. Ne kemi një përgjegjësi të madhe për ata në mënyrë që nga kjo protestë, siç do jetë për mua protesta më spektakolare e këtyre 35 viteve, të dali një klasë e re politike e cila do bëjë ndarjen definitive me klasën e vjetër të tranzicionit.
Unë kam shumë shpresë Adi, vërtet, në këtë proces, e them në mënyrë shumë të sinqertë, sepse janë vërtet të rinj të bukur, një pjesë e mirë janë të arsimuar jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri, dhe po vijnë dita ditës, na shkruajnë me mijëra mesazhe marrim në ditë, duan të kontribuojnë në protestën.
Pjesëmarrja e tyre virtuale, qoftë virtuale por fizike këtu, na jep shpresën se këta të rinj do ta marrin në dorë fatet e vendit. Pra le të jemi besimplotë, mjafton t'i motivojmë. Kjo është... t'i inkurajojmë dhe motivojmë. Dhe fakti që mashimet i realizojnë ata çdo ditë, janë studentët. Janë një rrjet virtual por janë 2000-3000 studentë në ditë, të cilët komunikojnë për të bërë pankarta të reja. Ja sot për shembull do ndalen në disa institucione, pra nuk do jetë vetëm një kalim, pasazh, ecje e zakonshme, por do të ndalen në institucione për të dhënë disa mesazhe të caktuara.
E para do të jetë pranë Bashkisë, kuptohet këtu për të dhënë mesazhin për të burgosurin e Durrësit edhe me parullën e famshme 'Oh lëre dreqin se prite Ramën se po vjen'. Më falni për mungesën e etikës po kjo është slogani që është pëlqyer shumë.
Pastaj do ndalojnë aty pranë delegacionit europian me sa kuptova itinerari, pranë House of Europe për të dhënë një mesazh të fortë për Marta Kos, e cila, komisioneren e zgjerimit, që ka dhënë një mesazh kontradiktor, paksa të çuditshëm dhe nuk është pëlqyer nga populli shqiptar. Dhe me sa di unë parulla do jetë 'Marta Kos me kë qëndron? Me Edi Ramën apo me popullin shqiptar?'.
Kjo do jetë parulla e cila do shoqërojë pranë delegacionit europian. Di që do ndalet tek presidenca, do ndalen 10 minuta aty, për t'i dhënë një mesazh presidentit se ka 17 ditë që po ndodh një protestë në rrugët, në sheshet e Shqipërisë dhe të Europës, dhe akoma nuk është zgjuar, bën sikur s'ka ndodhur asgjë ndërkohë është vetëm 200 metra nga protesta.
Unë nuk e di çfarë bën presidenti i Shqipërisë në këtë vend, është i paguar nga taksat e shqiptarëve, por nuk ka thënë gjysmë fjale për këtë protestë, dhe është e turpshme. Dhe kështu do jetë çdo ditë tashmë. Stili do jetë ndryshe, do ndalohet pranë institucioneve.
Nesër do jetë për shembull tek parlamenti, do bëhet ky rrethimi i famshëm demokratik i parlamentit, për të përcjellë mesazhin, digjini, nuk e di dorëzoni mandatet, ky është parlamenti i krimit e tjerë e tjerë si këto.
Edhe kjo gjë do jetë në ditët në vazhdim. Pra mesazhet do jenë pranë institucioneve publike, për të dhënë mesazhin që institucionet duhet të jenë krah qytetarëve, jo krah pushtetarëve.
Adi Krasta: Nga pikëpamja ...
Andi Tepelena: Pastaj patjetër që do ketë lëvizje të tjera në ditët në vijim, por protesta kombëtare që do thirret ditën e shtunë, për ditën e emigracionit, do jetë akoma më madhështore dhe do tregojë fuqinë e popullit shqiptar dhe forcën e tij.
Pastaj çdo ndodhi do ia lëmë popullit, do pyetet populli çfarë dëshironi? Doni të qëndrojmë këtu 24 orë? 48 orë? Derisa Edi Rama të japë dorëheqjen? Le ta vendosi populli, ne thjesht jemi zëdhënës të tij.