Dita e 17-të e protestës, Gala Aliaj: Mos lejoni asnjë pushtet të dekompozuar të diktojë të ardhmen tuaj

Në ditën e 17-të radhazi të protestës së qytetarëve shqiptarë, të mbledhur në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, mbajti fjalën e saj edhe Gala Dragot, vajza e artistit Robert Aliaj.

Duke iu drejtuar protestuesve, Gala tha se megjithëse nuk ka lindur në Shqipëri dhe jeton në Bruksel, është rritur në një familje që ka ndjekur dhe është shqetësuar vazhdimisht për zhvillimet në vend.

Dragot kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e saj në protestën studentore të vitit 2018, kur ishte 17 vjeç, duke thënë se energjia dhe angazhimi i të rinjve i kishin dhënë shpresë.

Në fjalën e saj, Gala u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë ndërhyrjen e politikës në lëvizjen protestuese.

Në përmbyllje të fjalimit, ajo falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në protestë dhe theksoi se liria kërkon angazhim dhe përpjekje.

Gala Aliaj: 

Përshëndetje! Unë jam Gala Dragot. Unë vij nga Brukseli. Unë nuk kam lindur këtu në Shqipëri, por jam rritur në një familje që zgjohet me problemet e Shqipërisë. Jam shumë, shumë, shumë e impresionuar nga protesta juaj, që më bën të besoj që prezenca ime mund të bëjë ndryshime. Jam kaq e lumtur që jeni të gjithë të etur, për forcën që keni dhe të ardhmen që doni. Unë kam qenë me babin tim në protestën e studentëve në 2018-ën kur kisha 17 vjeç.

Më kujtohet si më mbushët me shpresë! Mirëpo kjo protestë atëherë dështoi nga ndërhyrjet e politikanëve të korruptuar. Atëherë sot unë jam këtu për t'ju kujtuar juve që duhet të keni kurajo pafund! Kurajo pafund për të bërë ndryshim! Kurajo pafund të lexoni, të flisni politikë të pastër.

Mos i lejoni elementët politikë të ndotin lëvizjen tuaj. E ardhmja është e jona. Dhe çdo qeveri që nuk na ndihmon ne të ndërtojmë të ardhmen tonë, është armiku jonë! Mos lejoni asnjë pushtet të dekompozuar të diktojë të ardhmen tuaj.

To everybody here, thank you for being here and giving your future a chance! Mos harroni, liria nuk dhurohet! Liria negociohet dhe duhet të luftosh për ta fituar. Jam e lumtur t'ju them që brezi im do ta shpëtojmë në këtë vend. Le t'i japim fund totalitarizmit! Rroftë Shqipëria! Faleminderit, rroftë Shqipëria!