‘Po na presin rrënjët pa luftë…’/ Emocionon 13-vjeçari: Pa dhe nuk ka atdhe! Shqipëria e shqiptarëve
Një nga momentet më të spikatura të protestës së 17-të qytetare përpara Kryeministrisë ishte fjala e 13-vjeçarit Erlis Kreka, i cili përcolli një mesazh të fortë për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të ardhmen e vendit.
Me një fjalim të mbushur me emocione dhe thirrje patriotike, i riu u shpreh se historia, kujtesa dhe rrënjët kombëtare nuk duhet të preken, duke marrë duartrokitje dhe mbështetje nga protestuesit e mbledhur në shesh, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Erlis Kreka: Unë jam 13 vjeç dhe vij nga një familje që është përpjekur të më edukojë me atdhedashuri. Prindërit tanë na kanë mbushur mendjen me doktrina që veç atdhedashuri nuk kanë brenda. Unë nuk di nga politika, ama jam i apasionuar pas historisë, e një gjë e di mirë. Çdo pëllëmbë toke e këtij vendi, nga jugu deri në veri, është larë me gjak për t'u mbrojtur! Historia është kujtesë, dhe kujtesa është identitet kombëtar. Po kujtesa fshihet, kombet rrezikojnë të asimilohen. Mos harroni, rrënjët tona janë në këtë vend! Ato na japin forcë dhe identitet. Nëse rrënjët priten, unë, ti, çdo njeri që është shqiptar zhduket! Pa dhe nuk ka atdhe. Mos na i prisni rrënjët! Unë mund të jem i vogël për të dhënë mendim, por mua kjo që po ndodh më duket pushtim skuthash nën rrogoz. Pa luftë, pa armë dhe papritur do e shohim veten të huaj në vendin tonë! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!