'Rama jep dorëheqjen/ Protestuesja: Punë ka, por merret me mik, të rinjtë po largohen nga vendi
Po zhvillohet në këto momente protesta e 17-të e qytetarëve shqiptarë, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë protestës ka marrë fjalën një prej folëseve, e cila ka ngritur shqetësime për lirinë, të drejtat e qytetarëve dhe largimin e të rinjve nga vendi.
“Përshëndetje për prindërit që i keni fëmijët larg. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 18 garanton liri, por ne nuk kemi asnjë liri këtu. Ku është liria? Ne shohim vetëm parlamentin duke u zënë për interesat personale dhe ne vuajmë”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se protesta do të vijojë dhe se qytetarët janë mbledhur për të kërkuar ndryshim.
Në fjalën e saj ajo kritikoi edhe situatën e punësimit dhe emigracionit, duke deklaruar se shumë qytetarë largohen për shkak të mungesës së mundësive. Në fund të fjalës së saj, protestuesja kërkoi largimin e kryeministrit Rama, duke thënë se qytetarët kërkojnë më shumë të drejta dhe barazi.
“Rama jep dorëheqjen dhe ik! Nuk kemi liri, nuk kemi të drejta, nuk jemi të barabartë. Ky vend është për ne, për studentët, sepse e ardhmja jemi ne”, përfundoi ajo.
E reja:
Përshëndetje për prindërit që i keni fëmijët larg. Përshëndetje të gjithëve. Në kushtetutën e në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 18 garanton liri. Dhe ne nuk kemi asnjë liri këtu. Ku është liria? Ne shohim vetëm parlament tek sa zihen për interesat personale të vetat dhe ne vuajmë. Gjithësecili nga ne mund t'i ketë prindërit larg, apo ata prindër mund t'i kenë fëmijët larg. Ne këtu jemi, ne këtu jemi për të dhënë një mësim, për të dhënë një fjalë dhe të gjithë duhet ta dëgjojnë. Ata që s'kanë vënd këtu duhet të largohen. Sa më parë sepse ne, u bë dita e 17 që jemi këtu dhe nuk jemi për t'u larguar dhe nuk jemi për ta lëshuar rastin, asnjë moment. Duhet të largohen ata që s'e kanë vëndin këtu. Dhe s'ka s'po na lënë as qytet, as të arsimohemi.
Dhe Rama ka thënë, ka punë po s'ka profesionistë, ka thënë. Jo! Punë ka, po puna këtu merret me mik. Puna këtu nuk merret po s'pate mik. Ne këtu ka shumë të papunësuar. Të gjithë duhet të jemi vigjilentë dhe s'duhet t'i lejojmë ata këtu më. Rama jep dorëheqjen dhe ik! Ik! Largohu që këtu! Nuk kemi liri! Nuk kemi të drejta, nuk jemi të barabartë! S'ka s'ka po vuajmë! Ka shumë të parsëmuar këtu. Për fajin tuaj! Për fajin tuaj! Dhe jo Berisha, po as Berisha, as Rama dhe asnjë. Asnjë s'kemi harruar, as Belindën s'e kemi harruar, as Lali Erin nuk e kemi harruar.
Asnjë! Këtu duhet të jemi të gjithë për të drejtat tona sepse po vuajmë. Unë prindërit i kam larg, dhe ata prindër vuajnë për mua, ashtu sikurse vuajnë të gjithë fëmijë dhe prindër. Të gjithë e gjithë, edhe profesorësha, edhe njerëz dhe studentë, edhe pensionistët, që duan t'i shohin nipërit e tyre sa më lart. E di që çdo nëne i rrjedh loti për fëmijën e vet. Prandaj Rama jep dorëheqjen! Dhe zhduku! Ik që këtu Rama, nuk të duam dhe nuk kemi për të dashur kurrë! Asnjëherë! Jep dorëheqjen! Ky vend nuk është për ty! Ky vend është për ne studentët! E ardhmja jemi ne dhe nuk jeni ju! Boll më! Jep dorëheqjen! Faleminderit shumë!