Messi dhe Haaland zbresin në skenë, nis mbrojtja e titullit për Argjentinën në Botëror

Kupa e Botës 2026 vazhdon sot me katër përballje mjaft interesante, ku vëmendja kryesore do të jetë te kampionët në fuqi të Argjentinës dhe finalistët e Botërorit të kaluar, Franca.

Në Grupin I, Franca do të përballet me Senegalin në stadiumin “New York New Jersey”, në një ndeshje që rikthen kujtimet e surprizës së madhe të vitit 2002, kur afrikanët mposhtën francezët në ndeshjen hapëse të turneut.

Të dy skuadrat synojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre në Botëror.

Më pas, Iraku do të rikthehet në skenën më të madhe të futbollit botëror pas plot 40 vitesh mungesë, duke u përballur me Norvegjinë.

E gjithë vëmendja te skandinavët do të jetë te sulmuesi Erling Haaland, i cili pritet të debutojë në një Kupë Bote.

Në Grupin J, kampionët në fuqi të Argjentinës do të nisin mbrojtjen e trofeut ndaj Algjerisë.

Sytë e tifozëve do të jenë te Lionel Messi, i cili synon të udhëheqë edhe një herë ekipin e tij drejt suksesit në arenën ndërkombëtare.

Algjeria rikthehet në Botëror pas 12 vitesh dhe kërkon të surprizojë favoritët.

Ndeshja e fundit e ditës do të zhvillohet mes Austrisë dhe Jordanisë.

Austriakët rikthehen në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë, ndërsa Jordania shkruan histori me pjesëmarrjen e parë ndonjëherë në fazën finale të turneut.

Programi i ditës premton emocione, histori rikthimesh dhe debutime të rëndësishme, ndërsa Botërori 2026 vazhdon të ofrojë spektakël në çdo ndeshje.