Goditja e ‘perandorisë’ së Eldi Dizdarit/ Zbulohet pasuria marramendëse e gruas së tij në Dubai

Operacioni i fundit i SPAK kundër një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës ka rikthyer në vëmendje emrin e Eldi Dizdarit, i konsideruar nga autoritetet si një nga figurat kryesore të krimit të organizuar shqiptar me shtrirje në Europë dhe Amerikën Latine.

Pas aksionit që goditi organizatën e drejtuar nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, e cila dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian, media belge GVA ka risjellë në fokus detaje mbi aktivitetin dhe pasurinë e njerëzve të afërt me të.

Sipas artikullit, Dizdari, i njohur në Belgjikë edhe me pseudonimin ‘Alduth’, u ndalua njëherë nga policia belge teksa lëvizte me shpejtësi të lartë me një automjet luksoz në autostradën Antwerp-Eindhoven. Oficerët nuk e dinin se kishin ndaluar një nga personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, italiane, holandeze dhe belge.

Media belge ndalet veçanërisht te pasuria e bashkëshortes së tij, ish-missit Suada Sherifi, me të cilën Dizdari ka edhe një fëmijë. Sipas të dhënave të publikuara, Sherifi zotëron në emrin e saj nëntë prona në Dubai, me një vlerë totale blerjeje që arrin në rreth 17.8 milionë euro.

Artikulli thekson se Dizdari, i identifikuar në disa raste edhe me emrin Denis Matoshi, rezulton i regjistruar në kompleksin luksoz Bluewaters Island Residences 2 në Dubai, ku sipas autoriteteve dhe mediave ndërkombëtare janë vendosur edhe figura të tjera të njohura të krimit të organizuar shqiptar.

GVA shkruan se ai përmendet gjithashtu në dosjen e bujshme të klanit asirian ‘Y.’ në Antwerp, ku akuzohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas hetimeve, atij i ishte siguruar një pasaportë dhe kartë identiteti false përmes kontakteve me një zyrtar të korruptuar në Belgjikë.

Në mjediset kriminale të Antwerp-it, Dizdari njihet si ‘Shqiptari i gjatë’ ose ‘Alduth’. Emri i tij është lidhur edhe me organizatën kriminale ‘Bello’, e përshkruar si një federatë prej 14 bandash shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas mediave belge, ai dyshohet se ka organizuar dërgimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt porteve të Antwerp-it dhe Rotterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të botës së krimit në Belgjikë. Hetimet tregojnë se rrjeti i tij ka shfrytëzuar kontakte strategjike brenda porteve për të nxjerrë ngarkesat e kokainës nga terminalet e kontejnerëve.

Goditja e fundit e SPAK konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës, ndërsa në fokus të hetimeve mbeten jo vetëm aktivitetet kriminale, por edhe pasuritë e konsiderueshme të krijuara ndër vite nga personat e lidhur me këtë rrjet.