FIFA ndryshon ceremoninë para ndeshjeve për shkak të flamurit të Arabisë Saudite, ja arsyeja
Një detaj i pazakontë gjatë ndeshjes mes Arabisë Saudite dhe Uruguait në Kupën e Botës 2026 ka tërhequr vëmendjen e tifozëve në mbarë botën.
FIFA u detyrua të modifikonte ceremoninë zyrtare para ndeshjes për shkak të rregullave të veçanta që lidhen me flamurin saudit.
Ndryshe nga takimet e tjera të turneut, ku flamujt gjigantë të skuadrave shpalosen mbi fushë gjatë himneve kombëtare, në sfidën e zhvilluar në Miami flamujt u mbajtën të ngritur gjatë gjithë ceremonisë dhe nuk prekën barin e stadiumit.
Arsyeja lidhet me flamurin e Arabisë Saudite, i cili përmban Shahadën, deklaratën e besimit islam.
Për shkak të karakterit të tij fetar dhe të shenjtë, flamuri trajtohet me respekt të veçantë dhe nuk lejohet të vendoset në tokë apo të përdoret në mënyra që mund të konsiderohen fyese.
Për të ruajtur barazinë mes dy përfaqësueseve, FIFA vendosi që edhe flamuri i Uruguait të trajtohej në të njëjtën mënyrë. Ky veprim solli një ndryshim të dukshëm në ceremoninë e re të prezantuar nga organizatorët e Botërorit 2026.
Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, por nuk munguan polemikat.
Arbitri u kritikua pasi mbylli takimin gjatë kohës shtesë, në një moment kur Arabia Saudite po ndërtonte një kundërsulm të rrezikshëm.
Gjithashtu, gjatë pjesës së dytë u raportua edhe një shkelje e mundshme e rregullave të reja të FIFA-s.
Trajneri i Arabisë Saudite, Yorgos Donis, u pa duke dhënë udhëzime taktike gjatë kohës që portieri Mohammed Al-Owais po merrte ndihmë mjekësore në fushë, një praktikë që FIFA ka paralajmëruar se synon ta kufizojë për të shmangur të ashtuquajturat “pushime taktike”.
Megjithatë, rregullorja aktuale nuk parashikon ndëshkime të drejtpërdrejta për situata të tilla, duke lënë vend për diskutime dhe interpretime edhe gjatë këtij Botërori.