'Populli nuk hesht'/ Ja qytetet që i bashkohen sërish protestave për dorëheqjen e Ramës

Protesta qytetare kundër qeverisë sot shënon ditën e 17-të. Gjatë gjithë zhvillimit të tyre, tubimet kanë qenë paqësore dhe me karakter qytetar, pa shënuar incidente.

Protestat janë shtrirë në disa qytete të vendit, me pjesëmarrje në rritje jashtë kryeqytetit. Korça dhe Gjirokastra janë ndër qytetet që i janë bashkuar lëvizjes së nisur në Tiranë, duke zgjeruar kështu shtrirjen e protestave në nivel kombëtar. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të situatës politike në vend.

Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshe, duke mbajtur pankarta në duar dhe duke ngritur thirrje kundër qeverisë. Në disa prej tyre shkruhej “Shqipëria nuk shitet”, “Populli nuk hesht”, si dhe thirrje për një reagim më të gjerë qytetar si “Qohuni nga kafja”.