Short ‘ferri’ për Elbasanin dhe Dinamon, për Vllazninë ka derbi shqiptar në Conference League
Është hedhur sot shorti i turit të parë kualifikues të Conference League, ku tre skuadrat shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e tyre në rrugëtimin europian.
Vëmendja ishte e madhe te Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani, të cilat synojnë të avancojnë sa më shumë në kompeticion.
Vllaznia, e vetmja skuadër shqiptare e pozicionuar në vazon e favoritëve, mund të konsiderohet fituesja e madhe e shortit. Shkodranët do të përballen me Malishevën e Kosovës, në një duel rajonal që shihet si një mundësi e mirë për të siguruar kalimin në turin e dytë.
Më e vështirë duket sfida për Dinamon, e cila do të ndeshet me Astanën.
Klubi nga Kazakistani ka eksperiencë të konsiderueshme në kupat europiane dhe konsiderohet një kundërshtar i fortë për blutë e kryeqytetit.
Nga ana tjetër, Elbasani do të luajë ndaj BATE Borisov. Edhe pse ekipi bjellorus nuk po kalon vitet e tij më të mira, ai mbetet një emër i njohur në arenën europiane dhe një test serioz për verdheblutë.
Ndeshjet e para të turit të parë kualifikues do të zhvillohen më 9 korrik, ndërsa takimet e kthimit janë planifikuar për më 16 korrik.
Tashmë skuadrat shqiptare nisin përgatitjet për sfidat që mund të përcaktojnë vazhdimësinë e sezonit të tyre europian.