Bardhi nga Strasburgu: Protesta e qytetarëve ka mbërritur deri në Parlamentin Europian
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ndodhet sot në Strasburg, ku Parlamenti Europian po diskuton progres-raportin për Shqipërinë.
Së bashku me deputetët Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj, Bardhi po zhvillon takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike në Parlamentin Europian.
Në një videomesazh nga Strasburgu, Bardhi shprehet se Shqipëria do duhet të bëjë përpara vetëm duke luftuar korrupsionin, duke luftuar krimin e organizuar, duke krijuar një ekonomi më të mirë për qytetarët shqiptarë, dhe sigurisht duke mbrojtur zonat e mbrojtura dhe jo duke i shkatërruar ato.
Gjithashtu, Bardhi thekson se është i impresionuar që zëri i qytetarëve ka ardhur deri në PE, ku secili prej eurodeputetëve që kemi takuar na kanë pyetur për shqetësimet që kanë ngritur në protestë qytetarët.
Më poshtë mesazhi i plotë i Gazment Bardhi nga Strasburgu:
Në Parlamentin Europian, ku sapo kemi nisur një ditë intensive takimesh, sëbashku me kolegët e grupit parlamemtar Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj, ku çështja kryesore për diskutim është ecuria e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.
E kemi thënë dhe ripërsëritur që integrimi europian nuk është propagandë e ditës së Edi Ramës. Ajo është një çështje e plotësimit të kritereve. Kështu thotë edhe raporti i Komisionit të Jashtëm, i cili sot do të diskutohet dhe votohet në seancën plenare të PE, ku Shqipëria do duhet të bëjë përpara vetëm duke luftuar korrupsionin, duke luftuar krimin e organizuar, duke krijuar një ekonomi më të mirë për qytetarët shqiptarë, dhe sigurisht duke mbrojtur zonat e mbrojtura dhe jo duke i shkatërruar ato.
Jemi të impresionuar që zëri i qytetarëve ka ardhur deri në PE, ku secili prej eurodeputetëve që kemi takuar na kanë pyetur për shqetësimet që kanë ngritur në protestë qytetarët. Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, seps edhe njëherë PE rikonfirmon se mbështet integrimin europian të Shqipërisë, por gjithmonë bazuar në meritë dhe në plotësimin e standardeve dhe kritereve.