Romario kujton finalen e Botërorit 1994: I jemi mirënjohës për gabimin Baggios, Baresi ishte më i forti

Ish-sulmuesi legjendar i Brazilit, Romário, është rikthyer të flasë për finalen e paharrueshme të Botërorit 1994, ku Brazili mposhti Italinë pas gjuajtjeve të penalltive dhe u shpall kampion bote.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, 60-vjeçari komentoi penalltinë e famshme të humbur nga Roberto Baggio, e cila vendosi fatin e finales në favor të “Seleçaos”.

“Ne brazilianët jemi mirënjohës ndaj Baggios për atë gabim, por e di se ai ende e mban brenda vetes zhgënjimin për atë moment”, u shpreh Romario.

Më pas, ish-ylli brazilian ndaloi te një tjetër ikonë e futbollit italian, Franco Baresi, për të cilin rezervoi fjalë të mëdha vlerësimi.

“Më vjen shumë keq për Baresin që nuk është mirë me shëndet dhe i uroj shërim sa më të shpejtë. Ai është futbollisti më i fortë kundër të cilit kam luajtur ndonjëherë dhe kundërshtari më i vështirë për t’u përballur”, deklaroi Romario.

Finalja e 1994 FIFA World Cup Final mbetet një nga ndeshjet më ikonike në historinë e futbollit, me Brazilin që fitoi trofeun pas serisë së penalltive, ndërsa gabimi i Baggios vazhdon të kujtohet si një nga momentet më dramatike të Botërorëve.