Shpopullimi/ PL: Dështimi më i madh i qeverisjes, arsyeja kryesore pse shqiptarët protestojnë
Partia e Lirisë vijon të ngrejë alarmin për shpopullimin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si dështimin më të madh të qeverisjes në më shumë se një dekadë.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PL, zëvendëssekretarja e Përgjithshme Brunilda Haxhiu tha se shifrat e publikuara së fundmi mbi tkurrjen dramatike të popullsisë në qarqe të ndryshme të vendit, sidomos Veriut të Shqipërisë, konfirmojnë një realitet që qytetarët e jetojnë çdo ditë: Shqipëria po zbrazet.
Sipas saj, ky është treguesi më i qartë i dështimit të politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke shtuar se shpopullimi është një nga shqetësimet kryesore që ka nxitur reagimin qytetar dhe protestën paqësore që po zhvillohet në Tiranë, e cila sot hyn në ditën e 17-të.
‘Kjo protestë është një zë kundër indiferencës së qeverisë ndaj problemeve reale të qytetarëve dhe një thirrje për politika që vendosin në qendër familjen shqiptare, të rinjtë dhe të ardhmen e vendit’, theksoi Haxhiu.
Shpopullimi i Shqipërisë është dështimi më i madh i qeverisjes së më shumë se një dekade.
Shifrat e publikuara së fundmi mbi tkurrjen dramatike të popullsisë në qarqe të ndryshme të vendit, sidomos Veriut të Shqipërisë, konfirmojnë një realitet që qytetarët e jetojnë çdo ditë: Shqipëria po zbrazet. Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në veriun e vendit, por është shtrirë në pothuajse të gjithë territorin, duke prekur qytetet, fshatrat, ekonominë, arsimin dhe vetë perspektivën e zhvillimit kombëtar.
Pas më shumë se një dekade qeverisjeje, Shqipëria përballet me një bilanc alarmant, qindra mijëra shqiptarë kanë zgjedhur emigracionin si rrugën e vetme për të siguruar një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Të rinjtë largohen për mungesë mundësish, familjet përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese, ndërsa shumë zona të vendit po boshatisen me ritme shqetësuese.
Ky është treguesi më i qartë i dështimit të politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë. Kur qytetarët humbasin besimin se mund të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, atëherë problemi nuk është tek qytetarët, por tek modeli i qeverisjes që ka prodhuar pasiguri, pabarazi dhe mungesë perspektive.
Nuk mund të flitet për sukses ekonomik kur fshatra të tëra mbeten pa banorë, kur shkollat mbyllen nga mungesa e nxënësve, kur bizneset nuk gjejnë fuqi punëtore dhe kur rinia shqiptare e sheh largimin si zgjidhjen e vetme. Asnjë statistikë propagandistike nuk mund të fshehë faktin se pasuria më e madhe e vendit ,njerëzit e tij po largohen çdo ditë.
Pikërisht për këtë arsye, shpopullimi është një nga shqetësimet kryesore që ka nxitur reagimin qytetar dhe protestën paqësore që po zhvillohet në Tiranë, e cila sot hyn në ditën e 17-të. Kjo protestë është një zë kundër indiferencës së qeverisë ndaj problemeve reale të qytetarëve dhe një thirrje për politika që vendosin në qendër familjen shqiptare, të rinjtë dhe të ardhmen e vendit.
Partia e Lirisë vlerëson se ndalimi i shpopullimit nuk është thjesht një objektiv politik, por një domosdoshmëri kombëtare. Për këtë arsye, ai përbën një nga pesë prioritetet kryesore të programit të Partisë së Lirisë. Shqipëria ka nevojë për politika konkrete që mbështesin familjet e reja, nxisin punësimin e të rinjve, rrisin pagat dhe fuqinë blerëse, ulin barrën fiskale dhe krijojnë kushte reale që shqiptarët të zgjedhin të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Në vend të propagandës dhe vetëkënaqësisë, qeveria duhet të përballet me realitetin. Shpopullimi masiv është kembana më e fortë e alarmit për gjendjen e vendit. Një qeveri nëse nuk arrin të mbajë qytetarët e saj në vend, atëherë ka dështuar në misionin e saj themelor.
Partia e Lirisë do të vazhdojë të ngrejë zërin për këtë emergjencë kombëtare dhe të mbështesë çdo përpjekje qytetare që kërkon ndryshim, zhvillim dhe shpresë për shqiptarët.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Shqipëria ka nevojë të ndalojë largimin e shqiptarëve.
Faleminderit!