Tifozët argjentinas gati të ‘pushtojnë’ Botërorin 2026, festa e kampionëve pritet të shpërthejë në SHBA
Argjentina do të nisë mbrojtjen e titullit të botës të mërkurën ndaj Algjerisë, por jo vetëm skuadra e Lionel Messit po tërheq vëmendjen. Edhe tifozët e “Albicelestes” pritet të jenë një nga atraksionet më të mëdha të Botërorit 2026.
Pas atmosferës spektakolare që krijuan në Katar katër vite më parë, mijëra tifozë argjentinas po përgatiten të mbërrijnë në Kansas City për ndeshjen e parë të kampionëve në fuqi. Në Botërorin 2022 ata mbushën stadiumet me ngjyrat bardhekaltër, kënduan pa pushim himnin e famshëm “Muchachos” dhe e shndërruan çdo ndeshje të Messit në një sfidë si në shtëpi.
FIFA i shpërbleu atëherë me çmimin “Tifozët më të Mirë”, ndërsa një nga figurat më të njohura ishte Carlos Pascual, i njohur si “El Tula”, supertifozi që ndoqi Argjentinën në plot 13 Botërorë radhazi, nga viti 1974 deri në Katar 2022.
Megjithatë, festimet e tifozëve argjentinas nuk kanë kaluar gjithmonë pa polemika. Gjatë finales së Botërorit në Katar, kamerat kapën dy tifoze që festuan topless pas triumfit ndaj Francës, një veprim që shkaktoi debat të madh pasi binte ndesh me rregullat strikte të vendit organizator.
Këtë herë skena zhvendoset në Amerikën e Veriut, ku pritet një atmosferë edhe më e zjarrtë. Sipas një studimi të realizuar në SHBA me 3 mijë tifozë, mbështetësit argjentinas konsiderohen si tifozët më tërheqës të këtij Botërori.
Pas ndeshjes me Algjerinë, Argjentina do të përballet me Austrinë dhe Jordaninë në fazën e grupeve, ndërsa tifozët e saj synojnë të krijojnë sërish një spektakël të paharrueshëm në tribuna.