GJKKO, le në burg Habilajn e Vlorës. I dënuar me 15 vite burgim për trafik droge
Nga Elton Qyno – Syri.net/
Është lënë në burg, Moisi Habilaj, njeriu i dënuar me 15 vite burgim, për “Trafik droge” kryer në bashkëpunim dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Konfirmimi i kësaj mase vjen, pasi pak ditë më parë policia e Vlorës finalizoi operacionin në zonën e fshatit Borsh, ku Moisi Habilaj, u arrestua në ambientet e një kafeneje.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, Habilaj, nuk ka deklaruar asgjë para gjyqtares së gatshme, Elsa Ulliri, duke dhënë vetëm gjeneralitetet.
Masa e “Arrestit në burg” është dhënë sot nga GJKKO-ja, por fillimisht ajo është vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda në muajin dhjetor 2018.
Habilaj, në kërkim prej vitesh, është dënuar edhe në shtetin italian me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Moisi Habilaj drejtoi një grup kriminal që merrej me trafik droge mes Shqipërisë dhe Italisë. Përveç kësaj, hetimi aso kohe u ekspozua edhe lidhja e tij me ministrin e brendshëm për kohën.