Pennsylvania paralajmëron tifozët: Kujdes nga mallkimi i statujës së Rocky-t
Autoritetet në Pennsylvania kanë bërë një paralajmërim të pazakontë për tifozët dhe kombëtaret pjesëmarrëse në Botërorin 2026 që do të luajnë në Filadelfia: të mos “veshin” statujën e Rocky Balboa-s me fanellat e skuadrave të tyre.
Sipas një supersticioni të përhapur në qytet, çdo ekip që tenton ta “përvetësojë” figurën e boksierit legjendar duke i vendosur fanellën e vet, përfundon duke humbur ndeshjen e radhës.
Ky mit lidhet me statujën e famshme të Rocky-t, e vendosur pranë Philadelphia Museum of Art, e cila me kalimin e viteve është kthyer në një simbol fatkeqësie për ekipet vizitore.
Rasti më i fundit, sipas legjendës, lidhet me Ecuadorin, tifozët e të cilit kishin veshur statujën me fanellën e kombëtares para një ndeshjeje botërore, por skuadra më pas u mposht 1-0 në debutim.
Supersticioni nuk është i ri. Në SHBA kujtohen raste të ngjashme edhe në sportin amerikan, ku skuadra si Minnesota Vikings dhe New England Patriots kanë bërë të njëjtën “traditë” pa fat në vitet e kaluara, duke humbur ndeshje të rëndësishme pas këtyre gjesteve.
Për këtë arsye, autoritetet turistike të Pensilvanisë kanë publikuar një mesazh paralajmërues me humor, duke u kërkuar kombëtareve pjesëmarrëse në Botëror, përfshirë Brazilin, Francën, Kroacinë dhe Ganës, të tregojnë kujdes me këtë “mallkim”.
“Philadelphia ju mirëpret dhe ju uron suksese, por Rocky nuk ka nevojë për fanellën tuaj”, thuhej në mesazhin e tyre.
Një paralajmërim që përzien humorin me supersticionin, por që në atmosferën e Botërorit 2026 ka tërhequr vëmendje të madhe, sidomos për ekipet që do të luajnë ndeshje vendimtare në këtë qytet.