Latifi largohet nga Shkëndija, zyrtarizohet braziliani që vjen nga Tirana
Shkëndija ka njoftuar ndarjen me sulmuesin e krahut Liridon Latifi, pas përfundimit të kontratës së tij në fund të sezonit 2025/26. Klubi dhe lojtari kanë mbyllur bashkëpunimin pas dy vitesh, duke u ndarë me respekt dhe mirënjohje të ndërsjellë.
Latifi iu bashkua Shkëndijës në verën e vitit 2024 dhe ishte pjesë e një periudhe të suksesshme për skuadrën tetovare. Ai kontribuoi në fitimin e titullit kampion në vitin 2025 dhe ishte gjithashtu pjesë e arritjeve historike në arenën ndërkombëtare, përfshirë kualifikimin në fazën e ligës dhe më pas në play-off të UEFA Conference League. Golat e tij vendimtarë ndaj FCSB, Ludogorets dhe Jagiellonias mbeten ndër momentet më të spikatura të kësaj periudhe.
Shkëndija e ka falënderuar futbollistin për profesionalizmin dhe kontributin e dhënë, duke i uruar suksese në vazhdimin e karrierës.
Po ashtu, klubi ka njoftuar edhe largimin e mesfushorit Ibrahim Alhassan, i cili gjithashtu përfundon kontratën pas dy sezonesh me fanellën kuqezi. Edhe ai ishte pjesë e suksesit të klubit në kampionat dhe në garat evropiane, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në mesfushë gjatë kësaj periudhe.
Në të njëjtën kohë, Shkëndija ka zyrtarizuar përforcimin e parë të merkatos verore, duke arritur marrëveshje me mesfushorin brazilian Rafael de Freitas Silva. 26-vjeçari ka firmosur kontratë dyvjeçare me klubin dhe tashmë i është bashkuar përgatitjeve për sezonin e ri.
Rafael vjen nga Tirana, ku ka luajtur dy sezonet e fundit, ndërsa më herët ka pasur eksperienca edhe në Portugali dhe Brazil. Ai është një mesfushor polivalent, i aftë të aktivizohet në role defansive, qendrore dhe ofensive, duke i dhënë stafit teknik më shumë alternativa në organizimin e lojës.
Me këto lëvizje, Shkëndija vazhdon rindërtimin e skuadrës për sfidat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke synuar një sezon të ri me ambicie të larta.