Stil dhe elegancë në Paris: Lauren Sánchez Bezos mahnit me fustan blu me grep
Lauren Sánchez Bezos ka treguar edhe një herë se ka një stil të veçantë në botën e modës. Për një mbrëmje romantike me bashkëshortin e saj në Paris, ajo u shfaq me një fustan blu që i theksonte bukur linjat trupore.
Ish-gazetarja 56-vjeçare dukej tejet elegante dhe glamuroze me fustanin e kaltër të punuar me grep, një krijim që vinte në pah figurën e saj të tonifikuar dhe vetëbesimin tashmë të njohur.
Sipas “Harper’s Bazaar”, fustani ishte një krijim vintage i “Christian Dior” nga koleksioni pranverë/verë 2001 i John Galliano-s, ndërsa “InStyle” e ka përshkruar si një nga ato veshje që ndërthurin punimin me grep, transparencën dhe detajet metalike në një pamje mjaft të guximshme.
Fustani pa mëngë kishte gjithashtu pjesë transparente në fund, duke krijuar një efekt dramatik teksa i zbulonte këmbët gjatë ecjes drejt hyrjes së hotelit. Pamjen e kompletoi me syze të mëdha të zeza dhe vathë me diamante që shkëlqenin.
Ajo e kombinoi dukjen me aksesorë luksozë, përfshirë një çantë të rrallë “Chanel Ice Cube Minaudière”, e cila, sipas mediave të modës, përshtatej në mënyrë perfekte me detajet metalike të fustanit dhe i jepte pamjes një prekje edhe më ekskluzive.
Flokët ngjyrë kafe i kishte mbledhur në një bisht elegant me onde të buta, ndërsa grimi natyral i theksonte tenin e ndritshëm. Nëna e tre fëmijëve e përmbylli paraqitjen me taka të larta, teksa buzëqeshte para fotografëve përpara se të hynte në automjetin që e priste.