Zyrtare/ Milani firmos me Rúben Amorim-in, te gjitha detajet e kontratës
Milan ka zyrtarizuar trajnerin portugez, Rúben Amorim, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028, me opsion për një sezon tjetër shtesë.
Sipas marrëveshjes, Amorim do të përfitojë një pagë prej 3.5 milionë euro në sezon, plus bonuse të rëndësishme: 1 milion euro në rast fitimi të kampionatit dhe gjysma e kësaj shume nëse skuadra siguron kualifikimin në Champions League.
Për momentin, nuk është përcaktuar ende data e mbërritjes së tij në Itali, pasi klubi po pret edhe zhvillime në strukturën drejtuese, përfshirë emërimin e një drejtori të ri teknik. Në këtë proces është përmendur edhe emri i Markus Krösche, aktualisht te Eintracht Frankfurt, i cili ende është i lidhur me klubin gjerman me kontratë afatgjatë.
Sipas raportimeve nga Gjermania, ende nuk ka kontakte zyrtare mes Milanit dhe Eintrachtit, që po reziston në lirimin e drejtuesve të tij. Megjithatë, pritet që negociatat të zhvillohen në ditët në vijim.
Amorim, 41 vjeç, i njohur për suksesin me Sportingun, ku fitoi titullin kampion pas një pritjeje 19-vjeçare, ka përgatitur tashmë edhe stafin që do ta shoqërojë në Milano. Ai pritet të sjellë me vete disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë teknikë, duke konsoliduar një projekt të ri në krye të kuqezinjve.
Në aspektin taktik, portugezi pritet të sjellë sistemin e tij të preferuar 3-4-2-1 ose 3-4-3, duke ndërtuar një Milan me intensitet të lartë, presing dhe lojë vertikale. Ai njihet si trajner me ide të qarta dhe shumë i lidhur me filozofinë e tij të lojës.
Ndërkohë, në nivel drejtues, pronari Gerry Cardinale po punon për ristrukturimin e plotë të klubit, ndërsa Massimo Calvelli është aktualisht i pajisur me kompetenca të plota administrative për operacionet e përditshme të Milanit, deri në emërimin e CEO-s së ri.
Me këtë marrëveshje, Milani hap një kapitull të ri, duke synuar të rikthehet fuqishëm në majat e futbollit italian dhe europian nën drejtimin e Amorimit.