Kërkoi të dalë nga 'kafazi', GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt, shtyn senacën për Xoxën
GJKKO rrëzon kërkesat e Veliajt, shtyn seancën për t’i dhënë kohë avokatit të Ajola Xoxës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) rrëzoi pesë kërkesa të paraqitura nga mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në seancën e parë në themel të çështjes ku ai po gjykohet me procedurë të zakonshme, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe të pandehurit e tjerë, raporton gazetari i Syri-t, Fatjon Gjinaj.
Në nisje të seancës, gjykata bëri me dije se gjyqtari Besmir Stroka kishte kërkuar të largohej nga trupi gjykues, por kërkesa e tij ishte rrëzuar nga zëvendëskryetari i gjykatës, Erion Bani.
Edhe në këtë seancë, Veliaj refuzoi të paraqitej personalisht, me argumentin se nuk pranon të qëndrojë në kafazin e qelqtë të sallës së gjyqit. Ndërkohë, avokati i tij, Plarent Ndreca, paraqiti një sërë kërkesash paraprake.
Plarent Ndreca, avokat i Erion Veliajt:
"Moslejimi i filmimit të këtij procesi është një goditje ndaj së drejtës kushtetuese që kanë vetë mediat dhe gazetarët. Kërkojmë të lejohen kamerat për të transmetuar live procesin. Vlerësojmë se duhet të garantohet prania e Veliajt i lirë, jashtë kafazit të xhamit. Mosprania ose moslejimi i qëndrimit pranë avokatit cenon prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor dhe ndikon në proces. Kafazi i xhamit është kthyer në rregull, ndërkohë që duhet të jetë përjashtim. Ai nuk paraqet asnjë rrezik për mbarëvajtjen e procesit.
Për sa kohë nuk jemi njohur me provat në këtë fazë dhe ju thatë se kjo nuk përbën pengesë, na jepni kohë të njihemi me to. Ende nuk kemi marrë përgjigje nga SPAK lidhur me mënyrën e administrimit të kallëzimeve të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Gjithashtu, zhvillimi i seancave vetëm një herë në javë është një afat shumë i ngushtë, që nuk na jep mundësi të komunikojmë siç duhet me të mbrojturit tanë."
Prokurorët e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado, kundërshtuan të gjitha kërkesat e mbrojtjes, duke argumentuar se ato nuk mbështeten në ligj.
SPAK:
"Për zhvillimin e seancës publike, gjykata ka marrë vendim që ajo të zhvillohet pa praninë e kamerave dhe pa transmetim live. Nuk mund të krahasohet një seancë publike me një transmetim të drejtpërdrejtë. Ligji parashikon qartë zhvillimin e seancave publike dhe sot në sallë janë të pranishëm gazetarë dhe persona të interesuar. Kërkesa për transmetim live nuk bazohet në ligj.
Në çështjet penale në rajon, në Europë apo në SHBA, seancat nuk transmetohen live. Sa i përket datave të seancave, për ne do të ishte e pranueshme zhvillimi i tyre edhe çdo ditë, por duke parë ngarkesën e gjykatës, vlerësojmë si normale zhvillimin e tyre një herë në javë.
Xhami mbrojtës në sallë përbën një garanci sigurie. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur se ai nuk përbën element poshtërues. Hapja e provave dixhitale nuk lidhet me vlefshmërinë e tyre, pasi ato janë pasqyruar në fashikujt hetimorë. Sa i përket kallëzimeve anonime të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit, ato janë pjesë e akteve hetimore dhe do të debatohen gjatë shqyrtimit gjyqësor."
Pas më shumë se 40 minutash në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi të rrëzojë të gjitha kërkesat e mbrojtjes së Veliajt.
Megjithatë, gjykata pranoi kërkesën e avokatit të Ajola Xoxës, Gurali Braimllari, i cili mori përsipër mbrojtjen e saj vetëm sot, për t'u njohur me aktet e dosjes. Për këtë arsye, seanca u shty dhe do të zhvillohet më 23 qershor, në orën 10:00.
Ndërkohë, gjykata vendosi edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn.