ABI Bank mohon pretendimet për mijëra hektarë tokë në Zvërnec: Janë të pavërteta dhe pa bazë faktike
ABI Bank ka reaguar ndaj informacioneve të publikuara së fundmi në disa media online dhe të shpërndara në rrjetet sociale, sipas të cilave institucioni financiar zotëron mijëra hektarë tokë në zonën e Zvërnecit.
Përmes një deklarate zyrtare, banka i ka cilësuar këto pretendime si tërësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike, duke theksuar se ato nuk pasqyrojnë realitetin dhe krijojnë një perceptim të gabuar për rolin dhe aktivitetin e saj.
Sipas ABI Bank, veprimtaria e institucionit zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, duke respektuar standardet e transparencës dhe qeverisjes korporative.
Banka shprehet e shqetësuar për përhapjen e informacioneve të pasakta, të cilat sipas saj mund të ndikojnë në reputacionin e institucioneve financiare dhe të krijojnë konfuzion te publiku. ABI Bank thekson se çdo informacion që lidhet me aktivitetin e saj duhet të verifikohet përmes burimeve zyrtare dhe dokumentacionit përkatës.
Në reagim kujtohet gjithashtu se ABI Bank është vlerësuar ndër vite si një nga investimet më të rëndësishme amerikane në Shqipëri, duke bashkëpunuar me institucione financiare ndërkombëtare dhe duke kontribuar në projekte sociale, kulturore dhe të zhvillimit të komunitetit.
Në përfundim, banka u bën thirrje qytetarëve dhe klientëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve të paverifikuara që qarkullojnë në hapësirën online dhe të mbështeten vetëm në burimet zyrtare të informacionit.
“Përhapja e lajmeve të pasakta jo vetëm që dëmton informimin e drejtë të qytetarëve, por krijon edhe konfuzion të panevojshëm mbi çështje që mund të verifikohen lehtësisht përmes dokumentacionit dhe burimeve zyrtare”, thuhet në deklaratën e ABI Bank.