Si të qëndroni të sigurt gjatë udhëtimeve në vapë ekstreme
Teksa udhëtarët përgatiten për pushimet verore, temperaturat përvëluese po i presin në shumë destinacione.
Sipas meteorologëve, kjo verë mund të karakterizohet nga temperatura mbi mesataren. Gjithashtu, zhvillimi i fenomenit El Niño mund të sjellë mot edhe më të ngrohtë më vonë gjatë vitit ose verën e ardhshme. Temperaturat e larta nuk janë thjesht të pakëndshme; ato mund të shkaktojnë rraskapitje nga nxehtësia dhe madje goditje nga nxehtësia, që mund të rrezikojë jetën.
Megjithatë, udhëtarët mund të marrin masa paraprake për të shijuar pushimet duke qenë të përgatitur për vapën.
“Në të njëjtën mënyrë që përgatitemi për udhëtime në kushte të ftohta, duhet të fillojmë të mendojmë edhe për mënyrat se si të qëndrojmë të sigurt gjatë muajve të verës,” tha dr. AlexanderAzan nga NYU LangoneHealth, bashkëdrejtues i nismës Project HEATWAVE.
Kontrolloni parashikimin e motit dhe mendoni për shoqëruesit e udhëtimit
Para nisjes, kontrolloni temperaturat e ditës dhe të natës, si edhe indeksin e nxehtësisë, i cili merr parasysh edhe lagështinë e ajrit, tha Azan.
Kontrolloni nëse vendi ku do të qëndroni ka ajër të kondicionuar funksional dhe nëse zona ka pasur ndërprerje të fundit të energjisë elektrike. Gjithashtu, informohuni për qendrat publike të freskimit dhe mbani shënim numrat kryesorë për rastet e urgjencave mjekësore.
Përveç bagazheve, mendoni edhe për personat me të cilët po udhëtoni. Njerëzit me disa probleme shëndetësore ose që marrin medikamente të caktuara mund të jenë më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë.
“Shumë prej ilaçeve që përdoren për tensionin e lartë, ankthin apo depresionin mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën,” tha AshleyWard, drejtoreshë e HeatPolicyInnovationHub në Universitetin Duke.
Të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe foshnjat janë gjithashtu veçanërisht të rrezikuar, ndaj planet duhet të përshtaten sipas nevojës. Për shembull, mbajtja e një foshnjeje ngjitur me trupin mund të rrisë më tej ekspozimin ndaj nxehtësisë.
Merrni me vete një shishe uji të ripërdorshme dhe veshje me ngjyra të çelëta e materiale që lejojnë qarkullimin e ajrit. Mos harroni kremin mbrojtës ndaj diellit, syzet e diellit, një kapelë me strehë të gjerë dhe një peshqir freskues. Një ventilator portativ mund të jetë i dobishëm, por gjatë temperaturave shumë të larta ai mund të fryjë vetëm ajër të nxehtë.
Kujdes me sigurinë gjatë udhëtimeve me makinë
Merrni ujë dhe ushqime të lehta për të mbajtur energjinë gjatë rrugës, si për pasagjerët ashtu edhe për kafshët shtëpiake. Bëni ndalesa të rregullta për t’u hidratuar dhe për t’u shtrirë, por mos lini kurrë vetëm në makinë fëmijë, të moshuar apo kafshë shtëpiake, qoftë edhe për pak minuta.
Për ta mbajtur makinën sa më të freskët, parkoni në vende me hije dhe përdorni mbrojtëse për xhamin e përparmë. Kur hyni në një makinë shumë të nxehtë, ndizni kondicionerin, por fillimisht çaktivizoni riciklimin e ajrit për të nxjerrë ajrin e ndenjur. Hapni pak xhamat dhe, pasi temperatura të fillojë të ulet, mbyllini dhe aktivizoni riciklimin.
Për të shmangur mbetjen në rrugë në temperatura të larta, mos udhëtoni me më pak se një të katërtën e serbatorit, këshillon DavidBennett nga AAA. Nëse mbeteni të bllokuar dhe motori është ende në punë, mund ta ndizni dhe fikni herë pas here për të përdorur kondicionerin.
Mos ecni në anë të rrugës në vapë përvëluese për të kërkuar ndihmë. Qëndroni në makinë ose në një vend me hije pranë saj dhe vendosni trekëndëshin ose sinjalizuesit e sigurisë. Merrni gjithashtu një karikues shtesë për telefonin që lidhet me makinën, në mënyrë që të mund të kërkoni ndihmë nëse është e nevojshme.
Tregohuni fleksibël dhe njihni shenjat e problemeve nga nxehtësia
Udhëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndryshimet në sjelljen e tyre gjatë pushimeve. Kalimi i shumë orëve jashtë, aktivitetet intensive dhe konsumimi më i madh i alkoolit mund të rrisin rrezikun e problemeve të lidhura me nxehtësinë.
Shumë njerëz përballen me vështirësi sepse injorojnë si kushtet e mjedisit, ashtu edhe sinjalet që u jep trupi. “Ata mendojnë se mund ta përballojnë pa problem. Ky është një gabim,” tha Ward.
Nëse simptomat përkeqësohen dhe përfshijnë të folur të paqartë, humbje të vetëdijes, konfuzion të rëndë ose trup shumë të nxehtë në prekje, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Këto mund të jenë shenja të goditjes nga nxehtësia, një gjendje shumë serioze.
Nëse temperaturat ekstreme e bëjnë të pamundur realizimin e udhëtimit, ka mënyra për të rikuperuar një pjesë të kostove. Disa polica sigurimi udhëtimi ofrojnë mbulim për anulim për çdo arsye, duke rimbursuar pjesërisht shpenzimet. Ekzistojnë gjithashtu shërbime si SensibleWeather dhe WeatherPromise, të cilat kompensojnë kostot e udhëtimit ose akomodimit për ditët kur pushimet prishen nga shiu, dëbora e madhe ose nxehtësia ekstreme.
Duke qëndruar të informuar, duke marrë masa për t’u freskuar dhe duke përshtatur planet kur është e nevojshme, udhëtarët mund të sigurojnë që pushimet e tyre të jenë njëkohësisht të sigurta dhe të këndshme. / Medica lxpress – Syri.net