5 mbiemrat dhe udhëtimet fantazmë të Irena Gjokës/ Kalaja: Manipuloi sistemin TIMS, kush e amniston do të kallëzohet
Në një deklaratë për mediat nga GJKKO dhe SPAK, avokatja Adriana Kalaja ka bërë publike të tjera skandale që lidhen me gjyqtaren e Posaçme me shumë mbiemra, Irena Gjoka.
Sipas Kalasë, përveç falsifikimit të dokumenteve, gjyqtarja Gjoka ka manipuluar edhe të dhënat nga sistemi TIMS, çka vë në pikëpyetje të gjithë procesin e reformës në drejtësi.
Sipas denoncimit të bërë nga përfaqësuesja e opozitës, Adriana Kalaja, nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, si Gjykata e Posaçme ashtu edhe SPAK-u kanë pranuar kërkesat për hetime të thelluara mbi këtë rast.
Kalaja theksoi se këto shkelje masive janë toleruar gjatë procesit të Vetting-ut, në një kohë kur qindra gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë janë shkarkuar nga detyra për shkelje minimale.
Avokataja paralajmëroi se në rast se tentohet mbyllja apo amnistimi i kësaj dosjeje përmes ndërhyrjeve të jashtme, do të dorëzojnë kallëzime penale personale kundër vetë hetuesve të çështjes.
Irena me disa mbiemra, datëlindje dhe pasaporta, është ndarja e madhe midis asaj drejtësie që titullohej e anshme, pra që pranonte çdo gjë që çonte SPAK-u i Altin Dumanit, me drejtësinë ku gjykata është ajo që vendos dhe palët janë të barabarta përpara ligjit. Pasi Gjykata e Posaçme na dha të drejtë në rastin e Irenës me disa mbiemra, datëlindje dhe pasaporta, jemi informuar se edhe SPAK-u, nën drejtimin e Klodian Brahos, na ka dhënë të drejtë. Prandaj dhe vazhdoj të theksoj faktin se ka një ndarje të madhe midis dy epokave, ku ne kemi kërkuar vënien e drejtësisë, jo lidhur me individin 'Irena me disa mbiemra, datëlindje dhe pasaporta', por me fenomenin që ndodhi në reformën në drejtësi, me ata qindra e qindra gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar me urdhra politikë dhe për probleme shumë e shumë më të vogla se kjo gjyqtare, dhe për të cilën në fakt ne kemi depozituar prova të pafundme për të treguar që kjo pasqyron një nivel të drejtësisë shqiptare që në fakt duhet të largohet njëherë e përgjithmonë.
Në këto kushte, pas Gjykatës së Posaçme, edhe SPAK-u na dha të drejtë në të gjitha kërkesat tona, sepse nuk është ankimuar vendimi i dhënë nga gjyqtarja e nderuar Marinela Osmani, çka tregon se SPAK-u ka plotësuar gjithë detyrimet e caktuara nga ky vendim, ka regjistruar kallëzimin penal ose procedimin penal dhe ka filluar të zbatojë një më një gjithë detyrat e lëna nga gjyqtare Marinela Osmani. Detyra në fakt që u ngritën nga ne në formën e pretendimeve që kishim në lidhje me kontradiktën e madhe që kishte hetimi i kësaj çështjeje. Me këtë rast i bëj thirrje prokurorit të çështjes Bledar Maksuti, që pjesën e parë kur vendosi pushimin e çështjes ne mund ta konsiderojmë dhe si një lajthitje juridike, por me problematikën e madhe që konstatoi në dosje gjyqtare Marinela Osmani, ne kërkojmë jo vetëm hetimin e thelluar, jo vetëm marrjen e të gjithë letër-porosive sipas detyrave të caktuara nga gjyqtare Marinela Osmani, por nga ana tjetër, ne kemi ngulur këmbë që të bëhet një rishikim i të gjithë dokumentacionit, përtej dyshimit të arsyeshëm, i cili është dokumentacion i falsifikuar dhe mbi të cilin në fakt ka kaluar në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese procesin e Vetting-ut.
Nga ana tjetër, një moment shumë i rëndësishëm që unë dua ta ndaj me publikun, është dhe fakti i manipulimit të sistemit TIMS nga gjyqtarja dhe bashkëpunëtorë të saj brenda Policisë së Shtetit, pasi rezulton që në datën e lindjes së djalit, në 15 maj të 2004 në Milano, Irena me disa mbiemra, datëlindje dhe pasaporta rezultonte të ishte në Tiranë. Pra, ne këtë pyetje i bëmë dhe gjykatës: se kush e ka lindur djalin për sa kohë që Irena figuronte të ishte në Tiranë? Nga ana tjetër, ne i kemi kërkuar SPAK-ut dhe që na e dha të drejtë edhe gjykata, sepse për këtë periudhë kohe kjo gjyqtare ka patur të nevojshme që të nxjerrë katër pasaporta? Pse nuk është hetuar ndryshimi i datëlindjes? Dhe pse nuk është hetuar ndryshimi pesë herë i mbiemrit të kësaj gjyqtareje? Kështu që, të gjithë këto komponentë, por sidomos komponentët e falsifikimit të dokumentacionit lidhur me pasurinë, e cila në fakt shkon deri në 100 milionë lekë të vjetra, për të cilën në fakt ne kemi sjellë edhe prova bindëse që këto janë dokumente të falsifikuara, dhe ky ishte momenti i duhur që Vetting-u ta nxirrte jashtë sistemit, por ne akoma kemi shpresë që këtë gjë duhet ta bëjë SPAK-u me vendimin që duhet të marrë tashmë.
Nga ana tjetër, ne e sigurojmë që do jemi në monitorim të kësaj çështjeje, dhe siç e kemi thënë që në krye të herës, që ditën që unë kam bërë kallëzimin e parë penal dhe dy kallëzimet e tjera shtesë, se kjo çështje do shkojë deri në fund jo për emrin e Irenës me disa mbiemra, datëlindje dhe pasaporta, po për fenomenin që përfaqëson kjo gjyqtare në sistemin e drejtësisë dhe për të cilat në fakt duhet të ketë masa drastike. Në të kundërt, ne do procedojmë me kallëzim penal për prokurorë të SPAK-ut, të cilët në informacionet dhe provat që kemi, kanë ndërhyrë në dosje për amnistimin e kësaj gjyqtareje, për të cilën në fakt edhe gjykata na dha të drejtë. Kështu që, për ta mbyllur, unë mendoj siç kam shprehur edhe për vendimin e gjyqtares Marinela Osmani, edhe kjo është një ditë e bukur për drejtësinë shqiptare, është një ditë e mirë për të treguar se e vërteta vonon por nuk harron.