Messi bëhet ‘mister 200’ me Argjentinën, statistika që shkruajnë histori
Lionel Messi do të regjistrojë në orët e para të mengjesit një tjetër moment historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke zhvilluar ndeshjen e tij të 200-të me Argentinë në debutimin e Kupës së Botës 2026 ndaj Algjerisë.
Rruga e gjatë e kapitenit argjentinas filloi më 17 gusht 2005, kur debutoi në një miqësore ndaj Hungarisë. Ajo ndeshje zgjati vetëm pak minuta për të, pasi u ndëshkua me karton të kuq menjëherë pas hyrjes në fushë në pjesën e dytë. Që prej asaj dite kanë kaluar dy dekada me suksese, rekorde dhe trofe.
Në 199 ndeshjet e deritanishme me “Albicelesten”, Messi ka realizuar 117 gola dhe 64 asistime, duke grumbulluar mbi 16 mijë minuta lojë. Në këtë periudhë, ai ka fituar katër trofe madhorë me kombëtaren: Kupën e Botës 2022, dy edicione të Copa América (2021 dhe 2024) dhe “Finalissima” 2022.
Karriera e tij me Argjentinën ka qenë një rrugëtim i mbushur me ulje-ngritje: nga humbjet dramatike në finalet e Copa América-s ndaj Kilit në 2015 dhe 2016, deri te triumfet që e shndërruan në një ikonë absolute të futbollit botëror, krah emrave si Diego Maradona dhe Mario Kempes.
Statistikisht, 200 paraqitjet e Messit shpërndahen në mënyrë të veçantë: 26 ndeshje në Kupat e Botës, 39 në Copa América dhe 72 në eliminatoret e Amerikës së Jugut, ku ka shënuar 36 gola dhe ka dhënë 14 asistime.
Në renditjen e futbollistë me më shumë paraqitje ndërkombëtare në Botërorin 2026, Messi parakalohet nga Cristiano Ronaldo, i cili ka 228 ndeshje me Portugalinë, ndërsa i treti është Luka Modrić me 198 paraqitje.
Asnjë prej këtyre legjendave nuk ka konfirmuar tërheqjen nga kombëtarja pas këtij Botërori, duke lënë të hapur mundësinë që statistikat e tyre të ndryshojnë edhe më tej.
Për momentin, megjithatë, një fakt mbetet i pandryshueshëm: Messi po hyn në klubin elitar të 200 ndeshjeve me Argjentinën, duke shtuar edhe një tjetër kapitull historik në një karrierë tashmë legjendare.