Çfarë është 'autonomia strategjike' dhe pse të gjithë po flasin papritur për të?

Autonomia strategjike po kalon momentin e saj të artë.

Udhëheqësit europianë po e përdorin këtë term për të justifikuar një rritje historike të shpenzimeve për mbrojtjen; Ministria e Jashtme e Indisë e ka bërë atë parimin kryesor të një politike që blen naftë ruse ndërsa tërheq investime amerikane; ndërsa Kanadaja po e trajton si një "objektiv themelor".

Shprehja dëgjohet kudo në qarqet e marrëdhënieve ndërkombëtare, por shpjegimi i saj pothuajse mungon. Pra, çfarë do të thotë në të vërtetë autonomia strategjike? Dhe pse analistët po i referohen gjithnjë e më shumë asaj?

Më shumë ndikim sesa vetëm vetëmjaftueshmëri

Gjëja e parë që duhet kuptuar është se autonomia nuk nënkupton tërheqje nga rendi ndërkombëtar apo shkëputje nga lidhjet me Uashingtonin.

Merrni si shembull Bashkimin Europian. Si një nga organizatat e pakta që e ka shpallur hapur synimin për të arritur autonomi strategjike, BE-ja po rrit shpenzimet e saj të përbashkëta për mbrojtjen për t'u mbrojtur nga rreziku që vjen nga një Amerikë, angazhimeve afatgjata të së cilës nuk mund t'u besohet më plotësisht.

India vazhdon të marrë pjesë në aleancën strategjike Quad së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Japoninë, por ndjek një politikë të jashtme të pavarur kur interesat e saj nuk përputhen me ato të Uashingtonit. Edhe Kanadaja po zgjeron partneritetet e saj, por jo duke u shkëputur.

Veçoritë e secilit rast hanë debat. Por nga Gjermania te India dhe Kanadaja, instinkti bazë që drejton politikën e jashtme të këtyre vendeve është i njëjtë: të rrisin hapësirën e manovrimit, duke mbetur njëkohësisht përgjithësisht të lidhura me Shtetet e Bashkuara.

Të gjitha këto vende mbeten pjesë e rendit ekzistues global të sigurisë dhe ekonomisë të udhëhequr nga SHBA-ja. Vetëm se tani po rinegociojnë kushtet e pjesëmarrjes së tyre në këtë rend.

Në këtë kuptim, autonomia strategjike duhet parë më shumë si ndikim dhe fleksibilitet sesa si vetëmjaftueshmëri. Më konkretisht, ajo është aftësia e besueshme për t'u thënë "jo" fuqive të mëdha mbështetëse, siç është SHBA-ja.

Një shtet me autonomi strategjike mund të mbajë qëndrime diplomatike që superfuqitë e kohës nuk i pëlqejnë. Ai mund të përdorë forcë ushtarake pa u varur plotësisht nga pajisjet ose miratimi i një vendi tjetër. Gjithashtu mund të ruajë kontroll të mjaftueshëm mbi zinxhirët kritikë të furnizimit për të zbutur presionin dhe shtrëngimin nga rivalët.

Fantazma e Sharl de Golit

Vetë shprehja është më e re sesa mendojnë shumë njerëz, edhe pse logjika pas saj nuk është.

Udhëheqësi francez i pasluftës, Sharl de Gol, kaloi pjesën më të madhe të viteve 1960 duke institucionalizuar atë që më vonë do të quhej autonomi strategjike. Në vitin 1966 ai e tërhoqi Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s, por duke e mbajtur vendin brenda aleancës. Ajo që kundërshtonte De Goli ishte nevoja praktike për miratimin amerikan në çështjet e sigurisë franceze.

Arsyetimi i tij ishte i thjeshtë: një shtet që varet nga një fuqi tjetër për sigurinë e tij nuk është plotësisht sovran.

Megjithëse De Goli nuk e përdori kurrë shprehjen "autonomi strategjike", ajo u përfshi në doktrinën zyrtare franceze në Librin e Bardhë për Mbrojtjen të vitit 1994.

Deri në vitin 1998, koncepti ishte zgjeruar në politikën europiane përmes Deklaratës së SentMalosëmidis liderëve të atëhershëm britanikë dhe francezë, Toni Bler dhe ZhakShirak. Ata argumentonin se Europa kishte nevojë për "kapacitet për veprim autonom, të mbështetur nga forca ushtarake të besueshme". Bashkimi Europian e formalizoi këtë politikë në Strategjinë e tij Globale të vitit 2016.

Ndërkohë që De Goli po ndiqte këto politika, një traditë paralele u zhvillua përmes Lëvizjes së të Paangazhuarve, ku India, Indonezia, Jugosllavia dhe shumë vende të tjera kërkuan të ndiqnin një kurs të pavarur mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

E njëjta logjikë, kriza të ndryshme

Rikthimi i interesit për autonominë strategjike ka një burim të përbashkët: një rend ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja, i cili për një numër gjithnjë e më të madh vendesh ka filluar të duket më pak si një e mirë publike dhe më shumë si një barrë.

Megjithëse disa liderë e kuptuan këtë më herët, për shembull, EmanuelMakron fliste për autonominë strategjike europiane vite përpara homologëve të tij, ishte mandati i dytë i DonaldTrump-it që ndryshoi llogaritë politike.

Qeveritë që dikur supozonin se garancitë amerikane të sigurisë ishin të pakushtëzuara kanë zbuluar se nuk është kështu. Udhëheqësit europianë nuk po pyesin më nëse një kapacitet ushtarak i pavarur është i nevojshëm; por sa shpejt mund ta ndërtojnë atë.

Versioni indian i autonomisë strategjike është ndoshta më i zhvilluari dhe më udhëzuesi.

Qeveria e NarendraModit blen naftë ruse pavarësisht sanksioneve perëndimore. Ajo abstenon në votimet e OKB-së lidhur me Ukrainën, ndërsa në të njëjtën kohë thellon bashkëpunimin ushtarak me Uashingtonin. Gjithashtu merr pjesë në forume shumëpalëshe ku përfshihet edhe Kina, ndërkohë që forcon lidhjet me Quad-in.

E parë përmes prizmit tradicional të politikës së aleancave, kjo sjellje mund të duket kontradiktore. Por kur shihet përmes prizmit të autonomisë strategjike, ajo bëhet më e kuptueshme. India po maksimizon ndikimin e saj në marrëdhënie të ndryshme konkurruese, duke refuzuar varësinë e përhershme nga cilado prej tyre.

Kanadaja duket se po arrin në një përfundim të ngjashëm, edhe pse përmes një rruge tjetër.

Retorika e Trump-it për mundësinë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së ka nxjerrë në pah shkallën e varësisë që Otava kishte krijuar ndaj Uashingtonit. Si përgjigje, politikëbërësit kanadezë po ndjekin tani diversifikimin e tregtisë, investime të reja në mbrojtje dhe partneritete më të gjera.

Turqia dhe Arabia Saudite ilustrojnë një version më të ashpër të së njëjtës logjikë. Ankaraja mbetet brenda NATO-s, ndërsa përdor sisteme ruse të mbrojtjes ajrore. Rijadi po ndërton kapacitete vendase në mbrojtje, ndërsa kërkon furnizues alternativë armësh përveç Uashingtonit.

Këto janë strategji balancuese të përshtatura me rendin ndërkombëtar të sotëm më të fragmentuar. Dikur ndarja kryesore ishte mes vendeve të rreshtuara dhe atyre të paangazhuara.

Sot po shfaqet një ndarje tjetër. Disa qeveri pranojnë varësinë e thellë nga një fuqi mbështetëse, ndërsa të tjera janë të vendosura të ruajnë fleksibilitetin edhe brenda aleancave dhe partneriteteve formale.

Dhe pikërisht ky dallim, midis atyre që përpiqen të arrijnë autonomi strategjike dhe atyre që nuk e bëjnë këtë, po formëson gjithnjë e më shumë politikën botërore. / The Conversation – Syri.net