Protestat/ ‘Marrëdhënie e re e diasporës shqiptare me vendin’, Çipa: Raportimi nga mediat ndërkombëtare, rol kyç

Protestat e fundit masive në Shqipëri, të cilat kanë hyrë në ditën e tyre të 17-të, po konsiderohen si reagimi më i shëndetshëm për demokracinë në vitet e fundit.

I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, gazetari Aleksandër Çipa u shpreh se një frymë e re shprese ka nisur të zgjohet, duke shtuar se kjo lëvizje ka rikthyer besimin e humbur, me një reagim të fortë edhe te diaspora, e cila dukej e shkëputur nga realiteti vendas gjatë dekadës së fundit.

Sipas tij, raportimi intensiv nga mediat prestigjioze ndërkombëtare ka luajtur një rol kyç në këtë zgjim.

Gazetari thekson se protesta nuk është thjesht një reagim i brendshëm qytetar, por ka marrë edhe ngjyrime të forta gjeopolitike, shoqëruar me debate mbi projektet madhore të turizmit, si ato të diskutuara në Sazan dhe Zvërnec.

Po unë mendoj që ky është reagimi masiv më i shëndetshëm për demokracinë në Shqipëri. Sepse, për të qenë të sinqertë, për një periudhë të gjatë, ndoshta tre-katër vitet e fundit më së shumti, si shoqëri ne ndodheshim në deziluzionin e një destrukturimi të demokracisë. Mosfunksionimit të raporteve midis llogaridhënies dhe transparencës. Mosfunksionimit midis dëgjueshmërisë së interesit publik dhe vendosjes për shkak të autoritetit të grupeve të caktuara të interesit. Një sintoni midis politikës dhe niveleve të larta të tregtisë, oligarkëve si kundër thuhet, dhe një shpërfillje e shtresave të ndryshme dhe sidomos kategorive profesionale të mbetura në shoqërinë shqiptare.

Kjo protestë, në ditën e 16-të të saj, duhet thënë pa asnjë kompromis, se ka rikthyer një marrëdhënie të re midis qytetarit shqiptar, vendimmarrjes publike, qeverisjes së vendit, politikëbërjes dhe ajo që është edhe më optimiste, unë mendoj që pas ciklit të gjatë dhe kryesisht procesit të pritshëm politik që do të prodhojë kjo protestë, të shohim një marrëdhënie të re të diasporës së vendit me vendin. Sepse në një periudhë të konsiderueshme gjatë 10 viteve të fundit, ne na u krijua perceptimi sikur diaspora tashmë pasi u largua prej vendit, nuk do ta kthente më kokën pas. Me këto protesta ne vërejmë, jo vetëm për shkak të tubimeve që realizohen nëpër qytetet më të rëndësishme të Evropës, perëndimit, pse jo dhe të hapësirës ndërkombëtare, se interesimi për atë çka ndodh në vend, dhe sidomos për raportet e shoqërisë me politikëbërësit, është më i lartë nga sa mund ta kemi menduar para protestave.

Nuk ka asnjë dyshim që raportimi intensiv prej mediave më prestigjioze ndërkombëtare e ka rritur vëmendshmërinë e diasporës dhe migracionit shqiptar kudo ku është. Dhe ndjeshmëria ka lidhur, sepse raportimi i medias ndërkombëtare është lidhur më së shumti edhe me një qasje që ka të bëjë me raportet disproporcionale midis qeverisjes dhe shoqërisë në vend. Dhe kjo është një nga thelbet e krizave, pse masa e madhe rinore po vërshon për ditën e 17-të tashmë në bulevardin kryesor dhe në rrugët e Tiranës. Dhe e dyta, pa dyshim që përfshihet edhe elementi ose, le ta themi, vektori gjeopolitik. Për shembull, ne ende nuk e kemi shteruar analizën për një qëndrim gati maturues që po tregon opozita në raport me projektin e Sazanit. Dhe diferenca, edhe kjo ka mbetur pothuajse e pasqaruar, midis projektit që ekziston për Zvërnecin dhe projektit që ekziston për Sazanin.

Po shtroj një pyetje retorike: a është i njëjti projekt? A ka dy projekte? Deri ku ka shkuar në pikëpamjen procedurale dhe juridike, qoftë ai i Zvërnecit qoftë ai i Sazanit? Për Sazanin, në këndvështrimin tim dhe në dijeninë informuese si gazetar, ka një qasje edhe të rivalitetit turistik në siujdhesën e hapësirës Joniane dhe Adriatike. Ka padyshim edhe, le të themi, ngasje të interesit rival në fushën e turizmit me atë traditë që ka krijuar për sa i përket turizmit elitar hapësira helenike apo pjesa tjetër e hapësirës Adriatike, e tjerë e tjerë. Por kjo nuk është përcaktuese. Ajo që ne duhet të na mbajë në epiqendër të vëmendjes diskutimin dhe atë që e quajmë analizë, ka të bëjë me: a do të prodhojë kjo protestë, 16 që tashmë po hyn në 17 ditë, një proces politik? Kjo është një pyetje dhe një pritshmëri e opinionit publik.