Përzuri shqiptarët nga sytë-këmbët, Rama çon Delinën në Indonezi për të gjetur emigrantë për t'i zëvendësuar

Teksa mijëra të rinj shqiptarë vijojnë të largohen nga vendi për shkak të mungesës së mundësive dhe pagave të ulëta, qeveria e Edi Ramës duket se ka zgjedhur një tjetër zgjidhje për krizën e fuqisë punëtore: importimin e punëtorëve nga vende të largëta aziatike. Pas Filipineve, radha i ka ardhur Indonezisë.

Qeveria shqiptare pritet të lidhë një marrëveshje me qeverinë e Indonezisë për sjelljen në Shqipëri të punonjësve emigrantë për sektorin e turizmit dhe mikpritjes. Lajmi është bërë i ditur nga vetë autoritetet indoneziane.

"Indonezia po i afrohet hapjes së mundësive të reja të punës në Evropë përmes një memorandumi mirëkuptimi (MM) të planifikuar me Shqipërinë mbi punësimin e punëtorëve migrantë indonezianë në industrinë e mikpritjes shqiptare", njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Punonjësve Migrantë në Indonezi.

Iniciativa është diskutuar nga zëvendësministrja e Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë Indonezianë, Christina Aryani, gjatë një takimi me të Ngarkuarin me Punë të Shqipërisë në Indonezi, Nikson Ballço, në Xhakarta më 15 qershor 2026.

Sipas autoriteteve indoneziane, marrëveshja do të krijojë kuadrin qeveritar për rekrutimin e punëtorëve, ndërsa procesi i punësimit do të zhvillohet përmes agjencive private dhe kompanive të specializuara.

"Memorandumi i Mirëkuptimit do të bëhet baza e bashkëpunimit midis Ministrisë së Mbrojtjes së Punëtorëve Emigrantë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë", deklaroi Aryani.

Ajo theksoi se Shqipëria po paraqitet si një treg në rritje për turizmin europian dhe se ka nevojë për fuqi punëtore shtesë në sektorin e mikpritjes. Në vend që të krijohen kushte për kthimin ose mbajtjen e shqiptarëve në vend, qeveria shqiptare po kërkon zgjidhjen te tregu i punës në Azi.

Përgatitjet për marrëveshjen lidhen edhe me vizitën e planifikuar të ministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në Indonezi në fund të korrikut 2026, ku pritet të finalizohen detajet e bashkëpunimit.

Ndërsa eksodi i shqiptarëve vazhdon prej vitesh dhe bizneset ankohen për mungesë punonjësish, qeveria po orienton politikat e saj drejt zëvendësimit të fuqisë punëtore të larguar me emigrantë nga vende të tjera, një strategji që kritikët e shohin si pasojë të dështimit për të mbajtur qytetarët shqiptarë në vend.