'Zvërneci', gazetarja Çaushaj: Rama inkurajoi shitjen e tokave me probleme pronësie, kjo është e papranueshme
E ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, gazetarja Rezarta Çaushaj deklaroi se pas 13 vitesh qeverisje të Edi Ramës, qytetarët e kanë krijuar tashmë një perceptim të qartë se si paraja e drogës ka ndërtuar kullat.
Ajo quajti të papranueshme deklaratën e Ramës I cili me deklaratën për tokën në Zvërnec inkurajon një praktikë që një tokë pavarësisht se ka probleme pronësie të shitet.
Mbas 13 vitesh qeverisje të Edi Ramës, njerëzit janë shumë të vetëdijshëm mbi çfarë luhet këtu. Ato mund të mos dinë specifikat, kush është i përfshirë tamam, cili është mekanizmi, ndoshta nuk e kuptojnë, por ata kanë një instinkt dhe në këtë pikë e ndjejnë se çfarë ka ndodhur. Për dosjen, specifikisht nuk di të them se kam qenë e angazhuar dhe në protestë se sa vëmendje ka marrë, por di të them që dosja, edhe ky hetim ka ardhur në një moment shumë preçiz për mua. Dhe do ta lidh pak me disa deklarata të kryeministrit.
Ka ardhur në një moment preçiz sepse ishte e nevojshme që të ndalohej shitja ose transaksioni i shitjes së vlerës, së tokës në Zvërnec. Pra kalimi i pronësisë së tokës nga Artur Shehu i cili e ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme, te vëllezërit nga Katari që janë investitorë strategjikë. Dhe është katastrofike që del një kryeministër dhe thotë blerja ka ndodhur tashmë edhe nuk ka çfarë bëhet.
Sepse asnjë kryeministër, me historinë tonë të problemeve të pronave me qytetarë që dergjen dyerve të gjykatave për 30 vjet e më tepër, askush nuk do inkurajonte një praktikë të tillë që një tokë me probleme pronësie të shitej. Sepse në momentin që kjo tokë shitej, ai që e blen ka një mbrojtje shumë të madhe ligjore, ndërkohë që këta qytetarë që janë në konflikt, e sidomos ata të cilët janë të pambrojtje, të cilët janë pa mbrojtje e burime përballë predatorëve si Artur Shehu, atyre u ikën çdo lloj mbrojtje. Dhe për mua, duke e dëgjuar atë të thënë në televizion të hapur, për mua është katastrofike"