Kessié synon rikthimin në Itali, Juventusi në ‘pole position’ për mesfushorin nga Bregu i Fildishtë
E ardhmja e Franck Kessié-t mund të jetë sërish në Serie A. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i cili aktualisht aktivizohet tek Al Ahli, ka lënë të kuptohet se dëshiron të rikthehet në futbollin italian pas përfundimit të aventurës së tij në Arabinë Saudite.
Kessié ishte një nga futbollistët që përfitoi më shumë nga investimet e mëdha të futbollit arab. Në verën e vitit 2023 ai u transferua nga Barcelona tek Al Ahli për 12.5 milionë euro, duke firmosur një kontratë trevjeçare me vlerë rreth 20 milionë euro bruto në sezon. Në total, ai ka përfituar mbi 40 milionë euro gjatë periudhës së tij në Arabinë Saudite, ndërsa më parë kishte arkëtuar edhe rreth 6.5 milionë euro gjatë sezonit të kaluar në Katalonjë.
Aktualisht i angazhuar në Botërorin 2026, futbollisti 29-vjeçar preferon të mos flasë shumë për të ardhmen, por nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer në Itali.
“Jam në Botëror dhe po mendoj vetëm për Botërorin. Më pas do të shohim çfarë do të ndodhë. Në Itali kam kaluar shumë mirë dhe në futboll gjithçka është e mundur. Për këtë do të flasim pas një muaji”, deklaroi Kessié.
Karriera e tij në Itali nisi kur ishte vetëm 19 vjeç, falë Atalantës. Pas një sezoni të suksesshëm te Cesena në Serie B, ai shpërtheu në elitën e futbollit italian dhe në vitin 2017 u transferua te Milani. Me fanellën kuqezi, Kessié zhvilloi pesë sezone të rëndësishme, duke regjistruar 223 paraqitje dhe 37 gola, ndërsa ishte një nga protagonistët kryesorë të titullit kampion të fituar nga Milani në sezonin 2021/22.
Sipas raportimeve, pas Botërorit mesfushori mund të rikthehet në Itali, edhe pse jo te Milani. Klubi që po tregon interesin më të madh është Juventusi, ku trajner është Luciano Spalletti. Bisedimet mes palëve kanë nisur tashmë, ndërsa agjenti i lojtarit, George Atangana, pritet të mbërrijë në Itali në ditët e ardhshme për të zhvilluar takime me klubet e interesuara.
Me përvojën e fituar në nivelet më të larta dhe me disa sezone të rëndësishme ende përpara, Kessié duket i gatshëm për një rikthim të bujshëm në kampionatin që e bëri të njohur në futbollin evropian.