Neymar jep lajmin e bukur, pret fëmijën e pestë: Do të çmendem

‘Ylli’ brazilian Neymar ka ndarë një lajm të gëzueshëm me tifozët e tij, duke njoftuar se do të bëhet sërish baba. Sulmuesi zbuloi përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale se bashkëshortja e tij, Bruna Biancardi, është në pritje të fëmijës së tretë të çiftit.

Për Neymarin, do të jetë fëmija i pestë në total. Gjatë ceremonisë së veçantë për zbulimin e gjinisë së foshnjës, çifti mësoi se do të sjellë në jetë një vajzë. Momenti u shoqërua me shpërthimin e bojës rozë, ndërsa në festë morën pjesë edhe fëmijët e tjerë të familjes, përfshirë dy vajzat e vogla të çiftit dhe djalin e madh 14-vjeçar të futbollistit.

I emocionuar nga lajmi, Neymar nuk e fshehu gëzimin e tij. “Do të çmendem”, u shpreh braziliani gjatë videos që u bë shpejt virale në internet.

Ky lajm vjen në një periudhë të ngarkuar për sulmuesin 34-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet i grumbulluar me Brazilin në Botërorin 2026. Futbollisti i Santosit po punon për t’u rikuperuar nga një problem fizik që e detyroi të mungonte në ndeshjen e parë të kombëtares së tij, e cila përfundoi në barazim 1-1 ndaj Marokut.

Stafi mjekësor i Brazilit po monitoron çdo ditë gjendjen e Neymarit, me shpresën që ai të jetë i gatshëm për sfidat e ardhshme. Brazili do të përballet me Haitin të premten në ndeshjen e dytë të grupit, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë javën e ardhshme me përballjen ndaj Skocisë.

Mes shqetësimeve për gjendjen fizike dhe objektivave në Botëror, Neymar ka marrë një motivim shtesë jashtë fushës, teksa pret me padurim ardhjen në jetë të vajzës së tij të re.