Mjekësia e jetëgjatësisë: A po ndryshon mënyra si e shohim plakjen?
Spanja po renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, ndërsa zhvillimet e fundit në mjekësi po nxisin gjithnjë e më shumë fokusin te parandalimi dhe mjekësia e jetëgjatësisë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se plakja e popullsisë mbetet një nga sfidat më të mëdha demografike dhe shëndetësore të kohës.
Sipas të dhënave më të fundit, Spanja ka arritur një mesatare jetëgjatësie prej rreth 84 vitesh. Por pas kësaj shifre pozitive fshihet një realitet më kompleks: pas moshës 65 vjeç, gati gjysma e jetës shpesh shoqërohet me sëmundje, paaftësi ose humbje të pavarësisë funksionale. Kjo nënkupton se, ndonëse njerëzit po jetojnë më gjatë, vitet e fundit të jetës jo gjithmonë përkthehen në cilësi më të mirë jete.
Përballë këtij paradoksi, inovacioni dhe teknologjia po shihen si aleatë kyç në mënyrën se si njerëzit plaken. Megjithatë, përhapja e informacionit në rrjetet sociale ka sjellë edhe rritje të keqinformimit, përfshirë terapi të dyshimta dhe praktika ekstreme të ashtuquajtura “biohacking”, që synojnë përmirësimin e performancës fizike dhe mendore përmes teknologjisë dhe zakoneve të ndryshme.
Ekspertët theksojnë se shkenca dhe mjekësia duhet të mbeten në qendër të këtij debati. Profesionistët e shëndetit – mjekët, infermierët, psikologët dhe nutricionistët – konsiderohen faktorë kyç në orientimin e saktë të publikut, në mënyrë që teknologjitë e lidhura me jetëgjatësinë të përdoren në mënyrë të sigurt dhe efektive në praktikën klinike.
Një sinjal i rëndësishëm i këtij zhvillimi është edhe krijimi i grupeve kërkimore për jetëgjatësinë në universitete, si ai i Valencias, çka i jep kësaj fushe mbështetje më të fortë akademike dhe hap rrugën për zhvillimin e saj si një drejtim i veçantë kërkimor në të ardhmen.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, interesin për këtë fushë nuk po e tregojnë vetëm mjekët e rinj, por edhe profesionistët me përvojë të gjatë në sistemin shëndetësor publik. Sipas tyre, vitet e punës u kanë treguar si potencialin, ashtu edhe kufizimet e sistemit aktual, veçanërisht mungesën e kohës për kujdes të personalizuar dhe parandalues.
Fusha e jetëgjatësisë nuk kufizohet vetëm në një specialitet të vetëm, por prek një gamë të gjerë disiplinash, nga imunologjia dhe endokrinologjia, deri te gjinekologjia dhe pediatria. Sipas ekspertëve, “jetëgjatësia ndërtohet që nga dita e parë e jetës”.
Nga pajisjet inteligjente te interpretimi profesional i të dhënave
Në epokën e teknologjisë, pajisjet inteligjente si orët smart monitorojnë vazhdimisht parametra shëndetësorë, si ritmi i zemrës apo cilësia e gjumit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se aksesimi i këtyre të dhënave nuk nënkupton automatikisht përmirësim të shëndetit. Përkundrazi, pa interpretim profesional, ato mund të shkaktojnë stres dhe konfuzion. Vlera e vërtetë qëndron te analizimi i personalizuar nga profesionistët shëndetësorë, të cilët marrin në konsideratë stilin e jetesës, mjedisin dhe faktorët individualë të secilit person.
Aktualisht, mjekësia e jetëgjatësisë mbetet një fushë relativisht e kushtueshme dhe ende jo gjerësisht e aksesueshme. Sistemet shëndetësore, në shumicën e rasteve, janë të fokusuara te trajtimi i sëmundjeve pasi ato shfaqen, dhe jo te parandalimi i tyre.
Megjithatë, me rritjen e plakjes së popullsisë, pritet që shoqëria dhe institucionet të rrisin investimet në kujdesin parandalues dhe në këtë fushë në zhvillim. Rritja e kërkesës dhe trajnimi i specialistëve mund të kontribuojnë në uljen graduale të kostove dhe në zgjerimin e shërbimeve.
Në përfundim, ekspertët theksojnë nevojën për më shumë ndërgjegjësim shoqëror dhe institucional. Sipas tyre, ashtu siç investohet në kërkime për sëmundje të rënda si kanceri apo Alzheimeri, po aq rëndësi duhet t’i kushtohet edhe studimit të plakjes së shëndetshme.
Kuptimi më i thellë i mekanizmave biologjikë të plakjes mund të jetë çelësi për parandalimin e sëmundjeve të lidhura me moshën dhe për sigurimin e një jete më të gjatë, por mbi të gjitha më cilësore.