Tërmeti 6.7 ballë godet ishullin në Indonezi
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.7 ballë të shkallës Rihter goditi ishullin Sulawesi të Indonezisë në orët e para të së martës, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Lëkundja sizmike u regjistrua në orën 11:27 sipas kohës lokale (03:27 GMT), me epiqendrën rreth 46 kilometra në lindje-juglindje të qytetit Palu, kryeqendra e provincës së Sulawesi-t Qendror. Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash, çka konsiderohet relativisht e cekët dhe mund të shkaktojë dridhje më të forta në sipërfaqe.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar viktima apo dëme të mëdha materiale si pasojë e tërmetit.
Po ashtu, agjencitë indoneziane të meteorologjisë dhe menaxhimit të fatkeqësive nuk lëshuan paralajmërim për cunami pas ngjarjes.
Rajoni i Palu-t mbetet veçanërisht i ndjeshëm ndaj aktivitetit sizmik, pasi në vitin 2018 u godit nga një tërmet dhe cunami shkatërrues që mori jetën e më shumë se 4,000 personave dhe shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë.