'Kemi frikë të flasim': Iranianët thonë se shtypja është më e ashpër se para luftës

Gjatë disa muajve të luftës dhe më pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, dëgjimi i zërave të iranianëve të zakonshëm është bërë gjithnjë e më i vështirë mes një klime të frikës në rritje.

Disa persona të guximshëm kanë vazhduar që të flasin me gazetarët nga organizatat e huaja mediale, përfshirë Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, ndonëse pothuajse gjithmonë kanë kërkuar që të mbeten anonimë. Ky ishte edhe rasti kur u bë i ditur lajmi se Uashingtoni dhe Irani kishin arritur një marrëveshje kornizë.

Por, në shumë raste edhe burimet që më herët ishin të gatshme që të dëshmonin për ngjarjet në shtetin e tyre, kanë heshtur.

“Bashkëpunimi me armikun”

Disa kanë treguar se janë paralajmëruar nga zyrtarë të sigurisë që të mos flasin, veçmas për mediat në gjuhën perse që financohen nga Shtetet e Bashkuara, si Radio Farda, në mes të një shtypjeje ku autoritetet iraniane thonë se po ngrenë gjithnjë e më shumë akuza për spiunazh për “bashkëpunim me armikun”.

Në javët e fundit, banorët iranianë vazhdimisht kanë përmendur frikën nga paraburgimi dhe ndjekja, si dhe mundësinë e madhe që këto të ndodhin si rezultat i komunikimit me Radion Farda.

“Kam biseduar me disa nga miqtë e mi të ngushtë të cilët më besojnë, por ata refuzojnë që të dërgojnë mesazhe të incizuara edhe nëse ua ndryshojmë emrin dhe zërin apo edhe nëse dikush tjetër e lexon mesazhin e tyre”, tha një kontakt i Radios Farda, i cili, si shumë të tjerë të cituar në këtë artikull, nuk mund të identifikohen për arsye sigurie.

“Propaganda e Republikës Islamike ndaj mediave persiane, veçmas gjatë luftës, është një faktor i madh frike. Presioni ndaj publikut është shumë intensiv. Njerëzit nuk duan të rrezikojnë ndonjë ndalim apo marrje në pyetje nga forcat e sigurisë”, shtoi burimi.

Një analist me bazë në Iran, i cili para nisjes së luftës ishte i ftuar i rregullt në intervistat për Radion Farda, kishte qëndrim të ngjashëm.

“Unë nuk mund të flas me ju publikisht sepse menjëherë do të merresha nga forcat e sigurisë”, tha analisti, i cili në të kaluarën ka qenë i burgosur.

“Asnjë intervistë”

Një tjetër analist politik, që para luftës ka dhënë intervista për Radion Farda, dha detaje të tjera.

“Na është thënë që të mos japim asnjë intervistë apo lajme për mediat iraniane jashtë vendit që janë të lidhura me armiqtë e Iranit”, tha analisti duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, bombardimet e të cilëve ndaj Iranit nisën konfliktin më 28 shkurt.

“Nuk kam problem që të jap intervista për BBC në gjuhën perse. Autoritetet iraniane thonë se Mbretëria e Bashkuar nuk është në luftë me Iranin”, shtoi analisti.

Megjithatë, edhe BBC është përballur me kufizimet e veta. Përderisa korrespondentja, Lyse Doucet, ka mundur që të raportojë nga Teherani gjatë luftës, kjo iu kushtëzua me kërkesën që materialet e saj të mos përdoreshin për përmbajtjen e BCC-së në gjuhën perse.

Duke reflektuar mbi përvojën e tij të raportimit nga Irani gjatë luftës, korrespondenti i CNN-it, Frederick Pleitgen, po ashtu theksoi se “shumë njerëz kanë frikë të flasin me ty”.

Është e paqartë nëse kjo situatë do të përmirësohet pasi që, siç është njoftuar, Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të nënshkruajnë më 19 qershor një marrëveshje kornizë që synon dhënien fund të armiqësive dhe nisjen e bisedimeve për tema më të gjera, sikurse programi bërthamor i Iranit.

“Përderisa kjo marrëveshje po negociohej dhe më pas u njoftua për të, Republika Islamike nuk ka ndryshuar sa i përket brutalitetit ndaj qytetarëve të saj”, tha një banor i Teheranit, në të 30-tat, i cili ishte ndër personat që iu përgjigj Radios Farda lidhur me marrëveshjen.

“Heshtja, shtypja, ekzekutimi”

Në çdo rast, historiku i Iranit i shkeljeve të të drejtave të njeriut, sikurse shtypja e disidencës, burgosja e kundërshtarëve dhe ekzekutimi i të burgosurve politikë, është i dokumentuar mirë që nga Revolucioni Islamik që solli në pushtet establishmentin klerikal më 1979.

Shkalla e shtypjes së brendshme ka ndryshuar në periudha të ndryshme, herë duke u rritur e herë duke u zvogëluar.

Shiva Nazarahari nga Komiteti Vullnetar për Ndjekjen e Situatës së të Burgosurve, një grup joformal aktivistësh, i tha Radios Farda se kushtet aktuale kujtojnë situatën e viteve ‘80.

“Duket se një version i Republikës Islamike është rikthyer në pushtet dhe tani po qeverisë dhe përballet me protestuesit në të njëjtën mënyrë – duke pasur të njëjtin mentalitet të bazuar në frikë për të heshtur, shtypur, ekzekutuar dhe mbytur edhe zërin më të vogël – në mënyrë që të kontrollojë plotësisht hapësirën politike”, tha Nazarahari, e cila jeton në Slloveni.

Akuzat shpesh ngrihen sipas legjislacionit të miratuar pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor të vitit të kaluar. Ky ligj parashikon dënime më të ashpra për akuza për spiunazh dhe bashkëpunim me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Këto lloj akuzash kanë luajtur një rol të madh në shtypjen aktuale.

Zëdhënësi i gjyqësorit iranian, Asghar Jahangir, deklaroi së fundmi se 3.121 persona ishin akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, megjithëse nuk ishte e qartë periudha kohore të cilës ai i referohej.

Sipas një raporti të agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, agjenci që është e lidhur me shtetin, 43 për qind e këtyre rasteve kishin të bënin me “veprimtari politike, kulturore, mediatike dhe propagandistike”.

“Po shohim po ashtu një numër shumë të madh njerëzish që ndodhen në burgje dhe që janë arrestuar gjatë periudhës së luftës për arsye të ndryshme, shumica e të cilëve, në fund, janë përballur me akuza të lidhura me spiunazhin”, theksoi Nazarahari.

Në fund të majit, Amnesty International raportoi se rreth 6.000 persona ishin “arrestuar në mënyrë arbitrare” që nga shpërthimi i luftës, përfshirë protestues, gazetarë, aktivistë dhe pjesëtarë të pakicave etnike dhe fetare.

Grupi për të Drejtat e Njeriut në Iran, një organizatë me seli në Norvegji, raportoi më 8 qershor se deri më tani gjatë këtij viti të paktën 40 të burgosur, përfshirë 19 të arrestuar gjatë protestave të janarit, janë ekzekutuar përmes varjes nën akuza të motivuara politikisht.

Forcat e sigurisë vranë mijëra persona gjatë shtypjes brutale të këtyre protestave, që u mbajtën në disa qytete në mbarë Iranin.