17 shtete mbështesin memorandumin SHBA-Iran dhe kërkojnë zbatim të shpejtë

Një grup prej 17 shtetesh ka përshëndetur memorandumin e mirëkuptimit të shpallur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit rajonal dhe forcimit të ekonomisë globale.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me 13 vende të tjera, e përshkruan marrëveshjen si një “moment mundësie” për uljen e tensioneve dhe avancimin e diplomacisë në rajon.

Nënshkruesit përgëzuan SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, për arritjen që e konsideruan një përparim të rëndësishëm diplomatik. Ata theksuan nevojën që negociatat teknike të përfundojnë sa më shpejt dhe marrëveshja të zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive.

Deklarata bëri gjithashtu thirrje për rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lirisë së plotë të lundrimit, duke nënvizuar rëndësinë e sigurisë së transportit detar ndërkombëtar.

Vendet nënshkruese shprehën gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet për stabilitet, përfshirë përmes misioneve mbrojtëse të pavarura që synojnë sigurimin e rrugëve tregtare detare dhe operacionet e pastrimit të minave.

Në deklaratë u ritheksua gjithashtu se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore. Udhëheqësit shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), si dhe për të shqyrtuar heqjen e sanksioneve në këmbim të hapave të verifikueshëm nga Teherani në programin e tij bërthamor.