‘S'do shkulem nga ky shesh...’/ Aktorja Emiri: Kjo qeveri antikombëtare të japë dorëheqjen e të marrë dënimin që meriton
Protestuesit janë mbledhur sërish në një tubim masiv në kryeqytet, ku zërat e qytetarëve dhe artistëve janë bërë bashkë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Gjatë protestës, aktorja Julinda Emiri u shpreh se që nga dita e parë nuk e ka ndalur rezistencën. Aktorja theksoi me vendosmëri se nuk do të largohet nga sheshi, derisa qeveria të japë dorëheqjen dhe të marrë dënimin e merituar.
Në fjalën e saj, ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama për zaptim të pronës publike, duke përmendur një sërë ngjarjesh që sipas saj tregojnë abuzimin e pushtetit.
Sipas aktores, çdo demonstrim force nga ana e kryeministrit është në fakt një tregues i pastër i dobësisë së tij.
Ku janë artistët që u shemb teatri kombëtar? Unë jam Julinda Emiri, jam aktore. Kam filluar të protestoj kundër kësaj qeverie që ditën e parë që u filluan thashethemet për Teatrin Kombëtar. Dhe kam vazhduar të jem në çdo protestë dhe nuk do shkulem nga ky shesh derisa kjo qeveri antikombëtare të japë dorëheqjen e të mbarojë. Por në këtë shesh, janë dhe të gjithë ata aktorë dhe jo aktorë që kanë mbrojtur Teatrin Kombëtar. Por në këtë shesh janë dhe të gjithë ata të tjerë që nuk e kanë mbrojtur Teatrin Kombëtar, sepse nuk ka mbetur më shqiptar pa e kuptuar sot se kush është Edi Rama. Sepse skena që filloi me Teatrin Kombëtar, me zaptimin e pronës publike dhe me tërheqjen zvarrë, vazhdoi pastaj me Astirin, me Bregun e Lumit, me gratë që shisnin presh, vazhdoi me rrugët, vazhdoi deri në Zvërnec, që ka ngritur sot gjithë popullin tonë. Sepse Edi Rama mendoi që po tregonte forcën, po nuk e kuptoi se sa më shumë tregonte forcën, aq më shumë po tregonte dobësi. Sepse Edi Rama nuk ka kuptuar asgjë nga historia e Shqipërisë dhe nga ajo Rilindja, të cilës i ka marrë emrin, se shqiptarët mund të nënshtrohen vetëm përkohësisht, por kurrsesi përjetësisht. Sepse do vijë një ditë që shqiptari do ngrejë kokë kur atdheu e thërret, dhe pika është atëherë kur ka më shumë nevojë atdheu. Gjatë gjithë këtyre ditëve në protestë, më është kujtuar shpesh shkolla ime fillore dhe tetëvjeçare. Këtu në këtë protestë shumë janë të rinj dhe unë nuk e di si bëhet sot shkolla fillore dhe tetëvjeçare, por në kohën tonë, mësuesit një në dy fjalë e kishin atdheun. Dhe mbaj mend si më janë ngulitur në mendje shumë shprehje, të tipit "Lufta me pushkë, jo me penë", "Feja e shqiptarit është shqiptaria", që sot mund të përkthehet "Partia e shqiptarit është shqiptaria".
Dhe një frazë më ka ngelur shumë në mendje kur mësuesja e letërsisë vazhdimisht na thoshte, se dashuria për atdheun është mbi dashurinë për nënën dhe babain. Ne fëmijë e shkruanim shpesh nëpër hartime sepse e dinim, e kuptonim që kështu duhej thënë, por nuk ia dinim kuptimin. Dhe me njëri-tjetrin diskutonim shpesh si mund të jetë dashuria për atdheun, se si mund ta dua unë atdheun më shumë se nënën dhe babain që kam në shtëpi. Jam aktore ndaj ju lutem turmës të pushojë pak. Siç duket pavetëdija ime gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë duke kërkuar atë përgjigje dhe gjatë gjithë këtyre ditëve në protestë kam arritur në bindjen dhe përfundimin që po, dashuria për atdheun është mbi dashurinë për nënën dhe babain. Sepse atdheu dhe mëmëdheu i ka brenda dhe atin, dhe mëmën. Sepse atdheu dhe mëmëdheu janë dheu që na lënë ati dhe mëma. Dhe çfarë është dheu? Dheu janë eshtrat e nënës dhe babait. Dheu janë eshtrat e gjyshit dhe gjyshes. Dheu janë eshtrat e stërgjyshit dhe stërgjyshes. Janë fara që është në tokën tonë që ne të mund të mbijmë dhe të lulëzojmë. Po çfarë janë nëna dhe babai? Nëna dhe babai jonë janë mishi dhe gjaku, janë mësimet që na lënë, janë vlerat që përpiqen të na trashëgojnë, janë fjalët që na mësojnë, janë gatimet që na mësojnë, janë gjuha me të cilën ne flasim. Çfarë do të ishin nëna dhe babai jonë në qoftë se nuk do të ishin të gjithë këto? Çfarë do ishte nëna jonë në qoftë se nuk do ishte ajo nëna që na bënte byrekun dhe bukën me gjalpë dhe kripë? Nuk do ishin asgjë!
Ju ftoj që të mendoni se si do të ishte një jetë pa trashëgimi. Se si do të ishte një jetë pa atdhe ku njeriu nuk do të kishte shtëpi, nuk do të kishte atdhe dhe do të ishim të gjithë nomadë, duke u ngjitur në xhungël, duke luftuar me njëri-tjetrin. Se si do të ishte një jetë pa tradita të trashëguara ku ne nuk do të kishim as identitet, as gjuhën tonë, as kulturën tonë dhe do të ishim të gjithë njësoj, pra do të ishim të gjithë numër, do të ishim të gjithë skllevër. Se çfarë do të ishte një jetë pa shkrimet që ne kemi trashëguar. Pa shkrimet ne nuk do mund t'i zhvillonim ato. Nuk do mund të kishim as arsim, as shkencë, nuk do ishte zhvilluar kurrë asgjë dhe do të ishim ende në epokën e gurit dhe shkopit akoma. Trashëgimia është vetë jeta. Prandaj unë ju ftoj të gjithë juve që jeni këtu, rinia e bukur e vendit tim që s'keni qenë kurrë më e bukur në asnjë Instagram sesa në këtë protestë. Emigrantët atje tej që e dini më mirë se unë se si është jeta jashtë Shqipërisë, se si njeriu më i suksesshëm jashtë Shqipërisë mbetet gjithmonë pezull, dhe guri i rëndë peshon në vend të vet. Dhe të gjithë shqiptarët, mos e harroni kurrë këtë ndjesi që keni gjetur sot, këtë dashuri, sepse kjo dashuri dhe patriotizmi nuk dalin kurrë nga moda. Mos e harroni kurrë, sepse vetëm kur Rama të shporret, do jemi ne, nuk do vijë një zot apo dikush tjetër ta rregullojë Shqipërinë, por do jemi ne duke futur kulturën tonë politike në protestë për kthimin e demokracisë. Dhe ju ftoj që ata fëmijë që i keni marrë sot në shesh, t'u kujtohet kjo ndjesia e kësaj dashurie ashtu siç më kujtohet sot mua.