VIDEO-‘Qark i shkurtër’/ Neza: Akuzat e SPAK gjysmake, mungon goditja në zemër të aferave

Gazetari Sami Neza, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka ngritur shqetësime të forta mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen çështjet e investimeve dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Sipas Nezës, problemi nuk lidhet vetëm me Prokurorinë e Posaçme, por shtrihet në të gjithë sistemin institucional.  Ai theksoi se një nga problemet kryesore është mungesa e akuzave të plota dhe të artikuluara në mënyrë të njëjtë si në vendet e tjera, duke ngritur pikëpyetje mbi qasjen e Prokurorisë së Posaçme.

Neza deklaroi se sipas tij, ‘piramida shtetërore është e përfshirë në vepra penale në një farë mënyre’, duke përmendur institucionet që merren me investimet strategjike, tenderat, auditimet dhe vlerësimet e projekteve.

Sipas tij, këto struktura duhet të funksiononin si mekanizma të pavarur dhe të bazuar në ligj, por në praktikë kjo nuk ndodh.

‘Të vazhdojnë investimet, pavarësisht se nga vijnë paratë. Atëherë u ngrit një problem, një problem i cili, unë gjykoj se nuk është vetëm problem i SPAK-ut, është problem në tërësi i institucioneve. Domethënë, mungesa e një akuze, e cila është artikuluar në vendet e tjera ose nga prokurori të vendeve të tjera, dhe nuk është artikuluar nga prokuroria në Shqipëri.

Këtu ka një problem, për shkak se e gjithë piramida shtetërore është e përfshirë në vepër penale, në një farë mënyre. Domethënë, zyrat të cilat lidhen me investimet e huaja strategjike, zyrat të cilat lidhen me tenderat, zyrat të cilat lidhen me auditimet apo me vlerësimet, apo me shikimin ose me vlerësimin e investimeve, të gjitha janë zyra të cilat duhet të prodhonin informacion nga një këndvështrim ose nga një pikëpamje burokratike të paanshme, tërësisht në raport me ligjin.

Ndërkohë që një feedback i tillë nuk shkon, nuk qarkullon, as brenda institucioneve publike, por as te pushteti tjetër, te pushteti i drejtësisë. Dhe këtu ndodh ai hendeku i madh. Domethënë, ne kërkojmë absolutisht, me plot të drejtë, që të kemi akuza të qarta, akuza të cilat shkojnë drejt e në thelbin e çështjes. Ndërkohë që shpeshherë akuzat të cilat ngrihen nga Prokuroria e Posaçme janë akuza gjysmake, janë akuza të cilat qëndrojnë nganjëherë në periferi të problemit, nganjëherë e kapin problemin, por nuk e kapin problemin tërësisht, dhe gjithmonë ka dalje nga situata ose dalje prej dosjes.

Për dy vjet... Thotë se ka pastruar produkte të veprës penale. Po çfarë ka pastruar? Nga kanë ardhur paratë? Për cilat vepra? Po shumë e thjeshtë pra! Këtu ka një sistem. Kemi një Bankë Qendrore, kemi zyra të cilat merren me pastrimin e parave, kemi një euro që ka shkuar 94.5 lekë, e cila nuk ka lidhje fare me problemet e zhvillimit të ekonomisë.

Po kemi një GDP e cila është rritur, por nuk reflektohet te jetesa e qytetarëve. Nuk reflektohet në asnjë indikator ekonomik, përtej indikatorit i cili mat GDP-në.

Në dosjen Aruba është shumë e qartë. Lidhja është direkte. Domethënë, lidhja vjen: porosia nga Aruba te industria e ndërtimit në Tiranë, nga industria e ndërtimit shkon te zyra e qeverisë dhe nga zyra e qeverisë kthehet në projekt.

Edhe për këto gjëra. E kupton tani pse funksionon kjo lidhje e shkurtër? Kjo lidhje e shkurtër nuk është e natyrshme, nuk është normale. Ka një linjë burokratike, edhe në ligj edhe në aktet nënligjore, që të shkojë nga propozimi për leje ndërtimi deri te leja e ndërtimit. Ndërsa këtu kemi një qark të shkurtër, një shmangie pothuajse të të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për këtë gjë. Apo përfshirjen e tyre në mënyrë formale, vetëm thjesht formale, jo formale zyrtare, por formale nga mënyra se si ata japin kontributin e tyre në këto leje.

Qarku lidhet vetëm në nivele të larta. Dhe praktikisht, edhe lejet përmes AIDA-s, apo përmes Kadastrës që evidentohen sipërfaqet... Nuk shkon procesi, nuk e ndjek administrata procesin. Ka një proces që qëndron në nivele të larta dhe, sapo kërkohet leje, qarkullon e gjithë administrata.’, tha Sami Neza në SYRI TV.