FIFA përballet me problemin e paparashikuar, asnjë nga tetë ndeshjet e para nuk nisi në kohë
Kupës së Botës 2026 i ka mjaftuar vetëm java e parë për të hasur një problem të papritur organizativ.
Tetë ndeshjet e para të turneut kanë pasur një detaj të përbashkët: asnjëra nuk ka nisur në orarin e planifikuar.
Sipas të dhënave zyrtare, të gjitha takimet e zhvilluara deri tani kanë pësuar vonesa, me një mesatare prej rreth tre minutash për ndeshje.
Rekordin e mban sfida hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e cila filloi gjashtë minuta pas orarit të parashikuar. Edhe dueli Katar-Zvicër u vonua afro pesë minuta, ndërsa vetëm Koreja e Jugut-Çekia dhe Australia-Turqia nisën me vonesa minimale.
Situata ka ngritur pikëpyetje të shumta, pasi FIFA njihet për organizimin rigoroz dhe respektimin e minutazhit në çdo detaj të eventeve të saj madhore.
Megjithatë, duket se shkaku kryesor lidhet me ceremonitë e reja para ndeshjeve.
Në Botërorin 2026 është aplikuar një format i ri prezantimi, ku gjatë himneve kombëtare në qendër të fushës pozicionohet e gjithë skuadra, ndërsa në stadium shpalosen flamuj gjigantë. FIFA e ka cilësuar këtë si një moment simbolik për të rritur emocionet dhe ndjenjën e unitetit, por në praktikë procedura po kërkon më shumë kohë sesa ishte parashikuar.
Në disa raste edhe vonesat e skuadrave për të dalë nga tuneli kanë ndikuar në shtyrjen e fillimit të takimeve, duke krijuar një efekt zinxhir në të gjithë programin e ndeshjes.
Tashmë organizatorët shpresojnë që me kalimin e ditëve procesi të bëhet më efikas dhe ekipet të përshtaten me rutinën e re.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse FIFA do të ndërhyjë për të korrigjuar protokollin aktual apo vonesat do të vazhdojnë të shoqërojnë ndeshjet e Botërorit edhe në fazat e ardhshme të turneut.