Protestat/ Burimi: Rama po dëmton reputacionin e shqiptarëve me krahasime me nazizmin dhe fashizmin

Genc Burimi, gazetari i Radio France, i ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV me Sonila Meçon, kritikoi ashpër deklaratat e kryeministrit Edi Rama për protestuesit, duke i cilësuar si aludime të rënda krahasimet e bëra ndaj protestuesve me nazistët dhe fashistët.

Sipas Burimit, referenca të tilla dëmtojnë reputacionin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe bien në kundërshtim me imazhin që vetë Shqipëria ka ndërtuar ndër vite si një vend që mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai argumentoi se përdorimi i këtyre krahasimeve për audiencën ndërkombëtare krijon perceptime të rrezikshme për vendin dhe shoqërinë shqiptare.

Burimi: Nesër do dalë kjo që bën ai duke krahasuar shqiptarët... Jo, e kam shkruajtur, e kam thënë, për budalla mos ta marrin. Ai ka bërë në këtë kuadër dy aludime të rënda. Që nuk kanë... jo vetëm për shqiptarët, por për asnjë komb në botë nuk mund t'i bësh këto aludime. Të krahasosh me nazistët dhe me fashistët, me dy ngjarje shumë specifike. Me nazistët, me Natën e Kristaltë, nëntor 1938 kur hebrenjtë u bënë viktima të pogromeve që ishte fillimi i Holokaustit ajo gjë, Rama e tha këtë referim para dy-tri ditësh në fakt protestës, i krahasoi protestuesit me nazistët me atë ditë të caktuar në 1938-ën që thyen xhamat, nazistët në atë kohë thyen xhamat e dyqaneve të hebrenjve dhe ditën e 15-të i krahasoi me këta fashistët që kishin pushtuar rrugët e Tiranës dhe që marrin me dhunë e me zorr njerëzit nga kafenetë dhe aludonin fare qartë me marshimin mbi Romë të Musolinit në vitet '20. Kështu që këto referenca ai i bën për të huajt. Dhe ai po luan me diçka shumë të rëndë sepse po i fut tek të huajt një lloj, një lloj virusi që është vdekjeprurës për reputacionin e një kombi. Në kuptimin që shqiptarët pikërisht kishin reputacionin nga vetë Rama që mburrej kudo, si kombi që ka sakrifikuar më shumë për hebrenjtë, që jetën e jepnin dhe hebrenjtë nuk e dorëzonin. Tani këtë komb që ti dje të mburreshe me këto forumet ndërkombëtare, në bazë të së cilës ti u ftove në Kneset të Izraelit, sot ti këtë komb e paraqet me elementë nazistë dhe fashistë. Vetëm një Edi Ramë mund ta bëjë. Për të parë që është e shëmtuar dhe nëse e keni rastin e bëni sekuencën, ka qenë një fjali shumë e hidhur që mbajti pardje tek anti-mitingu, ku tha që këta merren me Jarët Kushnerin ngaqë është hebre. Nuk kam parë gjë më të pisët. Domethënë të shkoj në këto kanale, ujëra të zeza, tregon se Rama sot edhe njëherë, shpëtimin që mos të bjeri e sheh vetëm nga perëndimi, duke ju ofruar kodet më ekstreme. Ju ofron dhe kodin tjetër ekstrem që u trajtua që parë nga parafolësi, për luftën hibride, sepse dhe kjo i flet perëndimit.