Betejat e fituara të protestës dhe rruga përpara

Nga Ilir Kalemaj

Protesta e cila po bëhet rrafsh dy javë që ka nisur dhe nuk ka ndërmend të bitiset pa arritur objektivat e saj politikë, është kthyer në një marsh të pandalshëm pavarësisht skepticizmit të pushtetit që fillimisht tentoi ta injorojë, mandej ta denigroj, pastaj ta përcajë dhe me shpresë së botërori që filloi, vapa dhe pushimet verore do bënin të tyren. Që ditën e parë që nisi kam shkruar se përtej flamingove, shoqëria ka një pikë vlimi dhe kur preket nervi qytetar si rezultat i padrejtësive të jetuara dhe perceptuara, mjafton cilido shkak për të shpërthyer rrebeshin e pakënaqësisë dhe uraganin e revoltës. Korrupsioni masiv, kapja e shtetit nga oligrakia, cënimi i mjedisit, mafia e tokave, shitja e një pjese gjyqtarësh dhe shurdhëria e pushtetit janë agjentët e vërtetë të ndryshimit pasi provokuan revoltën e qytetarëve të cilët u ngritën në nëj valë protestash të papara prej fundvitit të largët 1991.

Natyrisht thënë kjo, vetë protesta apo protestat, pasi krahas asaj në Tiranë janë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në metropole të mëdha në Evropë dhe kudo ku ka diasporë shqiptare, është njëkonglomerat idesh dhe një kaleidoskop interesash që për nga natyra, origjina dhe kultura politike bashkon grupe të ndryshme që besojë në ideologji të caktuara, ndajnë pikëpmaje të kundërta për (ri)themelimin e republikës, për cka është prioritare që demokracia dhe shteti i së drejtës të funksionojë e kështu me radhë.

Por ana tjetër e medaljes është edhe se palët pavarësisht malit të Sizifit që kanë përballë, mund të bashkohen rreth një agjende minimale nëse ndërtojnë besim reciprok dhe nëse çdo palë pranon të lërë mënjanë ego-n institucionale.Për shembull, të gjitha palët dhe individët që kanë dalë në shesh, besoj janë kundër kapjes së shtetit nga interesa private. Protestuesit kërkojnë që qeveria të shfuqizojë kuadrin e investimeve strategjike, i cili u lejon projekteve të mëdha të kalojnë më shpejt procedurat e miratimit dhe u jep zhvilluesve akses në mbështetje shtetërore, leje dhe, në disa raste, tokë publike. Opozita e drejtuar nga partia demokratike ka ngritur prej vitesh akuza të ngjashme për abuzimin me burimet publike. Pra terreni është i gatshëm dhe ngelet që palët të konvergojnë rezistencën publike me teza të tilla të mirëfillta politike. Kjo në fakt është përkthyer me disa parti parlamentare që kanë kërkuar sakaq shfuqizimin e Ligjit për Investitorët Strategjikë dhe rishikimin e çdo kontrate që ka anashkaluar procedurat standarde të transparencës dhe konsultimit publik.

Nga ana tjetër, aktivistët e Flamingos e shohin çështjen e Zvërnecit si simptomë të një problemi më të gjerë që lidhet me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe kapjen e institucioneve publike. Opozita demokratike ka ngritur prej kohësh alarmin për instrumentalizimin e drejtësisë. Berisha ka deklaruar se PD mbështet pesë kërkesat e lëvizjes qytetare, duke kujtuar se shumë prej tyre janë kundërshtuar prej vitesh nga opozita në Parlament. Një kërkesë e cila mund të kishte përkrahjen e qytetarëve protestues mund të ishte garantimi i pavarësisë reale të gjyqësorit, i SPAK-ut dhe i institucioneve të kontrollit, pa ndërhyrje politike nga asnjë qeveri — e djathta apo e majta.

Protestuesit kanë deklaruar se kjo nuk është çështja e flamingove apo e Zvërnecit, por çështja e të drejtës së qytetarëve për t'u dëgjuar, si dhe e Shqipërisë që duam t'i lëmë fëmijëve tanë. Opozita, për dallim nga qeveritë që i ka përjetuar, pretendon të mbrojë demokracinë deliberative.Njëligj i detyrueshëm për konsultim publik të pakontestueshëm për çdo projekt me impakt mjedisor dhe shoqëror, me afate minimale dhe me të drejtë ankimimi efektive, mund të ishte një mënyrë e mirë për t’u bashkuar përtej ideologjive të ndryshme.

Gjithashtu mbrojtja e tokës dhe pasurive natyrore si pronë e kombit mund të ishte një mënyrë për të kapërcyer sinoret partiakë.Me vazhdimin e protestës, disa simbole janë kthyer në përbashkuese të frymës që protesta mbarë kombëtare po përcjell të tilla si flamuri shqiptar, kërkesa që sovraniteti t'u kthehet qytetarëve dhe flamingoja si simbol i ri i qytetarisë evropiane shqiptare. Një retorikë e sovranitetit kombëtar mbi pasuritë natyrore mund të bashkojë të dy grupet pa pasur nevojë për kompromis ideologjik. Në këtë linjë, ndoshta do të ishte me vend një amendament kushtetues ose ligj i fortë organik që shpall zonat e mbrojtura si "pronë e paprekshme e kombit", duke u hequr çdo qeverie të ardhshme mundësinë e privatizimit abuziv.

Gjithashtu prej të paktën një viti, opozta e drejtuar nga partia demokratike i ka kërkuar kryeministrit Rama dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërkohë, lëvizja flamingo është duke shkuar drejt një qëllimi të ngjashëm dhe i ka kërkuar qysh në krye të herës dorëheqjen kryeministrit, krahas katër pikave të tjera, dhe natyrisht paraprojës së një procesi zgjedhor të pakontestuar do të ishte një qeveri kujdestare e përbërë nga ekspertë të papërfolur dhe përgatitja e njëkohshme e një reforme zgjedhore të vërtetë dhe monitorim ndërkombëtar i procesit zgjedhor.

Natyrisht çdo lëvizje kërkon kohën e saj për t’u rritur dhe forcuar dhe çdo lëvizje qytetare që hyn shumë shpejt në shtrat me partitë e vjetra humbet karakterin e saj transformues.Me fjalë të tjera, lëvizja e qytetarëve të paangazhuar politikisht, bashkë me atë të qytetarëve në shesh që janë të angazhuar politikisht, një pjesë me PD, të tjerë me forcat e tjera politike, parlamentare ose jo, mund të konvergojnë te pjesa e kërkesave, natyrisht duke ruajtur identitetin e tyre dhe pa pasur nevojë për një koalicion të shpallur formal apo një platforme të firmosur bashkarisht. Një agjendë minimale kombëtare e ndërtuar rreth tre parimeve të tilla sisovraniteti mbi tokën, transparenca e pushtetit dhe vota e lirëmund të ishte një zgjidhje që çdo palë mund ta mbrojë nga këndvështrimi i vet, pa u bashkuar organikisht.

Në çdo rast me këtë protestë deri tani disa beteja janë fituar. Së pari kemi një revoltë të shprehur dhe vet-mobilizim të qytetarëve si nje leksion demokracie i vyer që duhet të kumbojë në veshët e politikanëve. Së dyti, kemi një riorganizim dhe rijetëzim të shoqërisë së vërtetë civile pas viteve me radhë ku shoqëria civile bazohej thjesht me aftësi për të bërë projekte dhe thithur para donatorësh të huaj apo qeverisë shqiptare. Së treti, kemi rikthim të shpresës se në këtë vend ka indinjatë ndaj padrejtësisë dhe besim te një e ardhme më e mirë. Së katërti, kjo lëvizje është komplimentare ndaj opozitës politike në vend, pavarësisht nëse krijon parti të dalë nga protesta apo jo. Së pesti, konfirmon para komunitetit ndërkombëtar që shqiptarët çmojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, transparencën e vendim-marrjes dhe llogaridhënien e pushtetarëve.