SYRI TV/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin për Metën, Gjykata e Lartë e riktheu për rishqyrtim
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë që kërkesa për masën të rishqyrtohet në Apelin e Posaçëm, kjo e fundit e rrëzoi sërish kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga qelia. Ish-presidenti ka depozituar një kërkesë të dytë në Apel, ndërsa gjykata e shtyu seancën për një datë tjetër. Edhe seanca për të pandehurit e tjerë që po gjykohen me procedurë të shkurtuar dështoi pasi SPAK nuk ishte gati për të dhënë pretencën. Fatime Kryemadhi e akuzoi këtë të fundit se nuk ka bërë asnjë verifikim mbi të ardhurat e saj.
Apeli i Posaçëm Antikorrupsion la të pandryshuar vendimin e dhënë më herët për ish-presidentin Ilir Meta, lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij si person që dyshohet për tre vepra penale. Shqyrtimi erdhi pas vendimit të Gjykatës së Lartë që gjeti parregullsi dhe urdhëroi shkallën e dytë të rishihte vendimin.
Ilir Meta ndërkohë ka bërë një tjetër kërkesë në Apelin e GJKKO për ndryshimin e masës së sigurisë. Lidhur me këtë kërkesë, u zhvillua seanca këtë të hënë në shkallën e dytë të gjyqësorit, por gjyqtarja Saida Dollani u tërhoq për të shpallur vendimin në një datë tjetër. Në të njëjtën ditë ishte parashikuar të mbahej seanca për të pandehurit që po gjykohen me procedurë të shkurtuar, ku SPAK do të lexonte pretencën për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun e Pirro Xhixhon.
E ëma e Monikës Kryemadhit u tërhoq nga gjykimi i shkurtuar në procesin ku akuzohet për pastrim parash, duke pretenduar se nuk e ndjen veten fajtore dhe se SPAK-u nuk ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e saj. Kryemadhit iu shpjegua nga gjyqtarja se gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranimi i fajësisë, por për t’u gjykuar në gjendjen që ndodhen aktet. Togat e zeza vlerësuan se avokatët e saj kanë kërkuar gjykim të shkurtuar si në seancë paraprake ashtu edhe në themel dhe për këtë arsye e rrëzuan kërkesën.
Dosja u nda në gjykim, për shkak të kërkesave të palëve, ndërkohë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po gjykohen me procedurë të zakonshme.