Feyenoordi zgjedh trajnerin e ri, Van Bronckhorst rikthehet në pankinën e klubit

Klubi holandez, Feyenoord, ka vendosur për trajnerin e ri. Drejtuesit e skuadrës nga Roterdami i kanë besuar pankinën ish-futbollistit të njohur, Giovanni van Bronckhorst.

51-vjeçari vjen nga eksperienca e tij si ndihmës i Arne Slot te Liverpooli dhe tani do të nisë një aventurë të re si trajner i parë i Feyenoordit.

Van Bronckhorst do të zëvendësojë Robin van Persie-n, i cili u shkarkua në fillim të këtij muaji pas një sezoni zhgënjyes të ekipit.

Para se të merrte vendimin përfundimtar, Feyenoordi kishte shqyrtuar edhe mundësinë e angazhimit të Oliver Glasner. Megjithatë, austriaku po priste zhvillimet te Milani, përpara se drejtuesit kuqezi të orientoheshin drejt portugezit Ruben Amorim.

Për Van Bronckhorstin bëhet fjalë për një rikthim të rëndësishëm te Feyenoordi, klub me të cilin ka lidhje të forta si lojtar dhe trajner, ndërsa tifozët shpresojnë se ai do ta rikthejë skuadrën në garën për trofetë në Holandë dhe në arenën europiane.