Euro U-19 2027, Shqipëria mëson kundërshtarët në raundin e dytë kualifikues

Kombëtarja shqiptare U-19 ka mësuar këtë të hënë rivalët që do të përballet në raundin e dytë të kualifikueseve për Kampionatin Europian U-19 2027.

Shorti i hedhur nga UEFA në Nyon të Zvicrës e ka vendosur Shqipërinë në Grupin B6, ku do të ketë përballë Armeninë dhe Qipron.

Kuqezinjtë e kësaj grupmoshe do të garojnë në Ligën B, me objektivin për të siguruar ngjitjen në Ligën A për edicionin e ardhshëm të kualifikimeve europiane. Përballjet ndaj Armenisë dhe Qipros pritet të jenë vendimtare për fatet e ekipit shqiptar në këtë fazë.

Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar vendi ku do të zhvillohet mini-turneu. Sipas rregullores, federatat e Shqipërisë, Armenisë dhe Qipros do të arrijnë një marrëveshje të përbashkët për organizimin e ndeshjeve.

Përfaqësuesja shqiptare U-19 synon të vazhdojë progresin e viteve të fundit dhe të sigurojë rikthimin në Ligën A, ku garojnë kombëtaret më të forta të kontinentit në këtë grupmoshë.