Zhupa: Rama nuk thotë të vërtetën për zonat e mbrojtura - Ligji 21/2024 hapi derën e betonit pa kufizim
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke e akuzuar atë për dezinformim të opinionit publik.
Sipas Zhupës, Ligji nr. 21/2024 ka ndryshuar filozofinë e mbrojtjes së këtyre zonave dhe ka krijuar hapësira më të gjera për ndërtime dhe zhvillime ekonomike. Ajo thekson se edhe Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e këtyre ndryshimeve, ndërsa kujton se më 14 maj ka depozituar në Kuvend një nismë ligjore për shfuqizimin e ligjit dhe rikthimin e garancive për mbrojtjen e natyrës nga betonizimi.
Reagimi i Ina Zhupes:
Askush s’mund të gënjejë më qytetarët.
Edi Rama gënjen kur thotë se në zonat e mbrojtura nuk ka ndryshuar asgjë nga ligji i 2024, edhe për peizazhet e mbrojtura. E vërteta është se Ligji nr. 21/2024 ndryshoi pikërisht filozofinë e mbrojtjes së tyre dhe hapi rrugën për ndërtime e zhvillime që më parë ishin të kufizuara.
Në ligjin e ri është hequr logjika e ndalimit. Janë fshirë konceptet e “kufizimit, eliminimit dhe parandalimit” të aktiviteteve të papërshtatshme dhe në vend të tyre është futur ideja e lejimit të ndërhyrjeve urbane, turistike dhe ekonomike brenda zonave të mbrojtura.
Edhe vetë përkufizimi i “Peizazhit të Mbrojtur” është ndryshuar. Ai nuk paraqitet më vetëm si një hapësirë që duhet ruajtur, por edhe si një territor që krijon mundësi për zhvillime turistike, agroturistike dhe veprimtari të tjera ekonomike. Për më tepër, ligji ia kalon qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit kompetencën për të përcaktuar me vendime administrative se çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet në këto zona. Pra, kufijtë e mbrojtjes nuk burojnë më qartë nga ligji, por varen nga vullneti i qeverisë.
Statusi formal i zonave të mbrojtura mund të ketë mbetur në letër, por në praktikë hapësira për ndërtime dhe zhvillime është zgjeruar ndjeshëm. Kjo është arsyeja pse sot shohim projekte që depërtojnë në territore që dikur konsideroheshin të paprekshme.
Nuk është rastësi që edhe Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e këtyre ndryshimeve dhe rikthimin e një mbrojtjeje reale për zonat e mbrojtura. Kur një shqetësim ngrihet edhe në nivel europian, askush nuk mund të pretendojë se problemi nuk ekziston.
Pikërisht për këtë arsye, më 14 maj kam depozituar në Kuvend propozimin për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimin e garancive që mbrojnë natyrën nga betonizimi dhe interesat afatshkurtra.
Mund ta mbani këtë nismë edhe disa ditë në sirtarët e shumicës, por nuk e dini sa kohë ju ka mbetur. Zëri qytetar po bëhet çdo ditë më i fortë dhe protestat për mbrojtjen e pasurisë kombëtare publike nuk do të ndalen.