Milani zgjedh trajnerin, firma brenda 48 orëve të ardhshme

Milani është shumë pranë një ndryshimi të madh në pankinë, teksa klubi kuqezi po përgatitet të mbyllë marrëveshjen me trajnerin portugez Rúben Amorim, i cili pritet të mbërrijë në Milano brenda 48 orëve të ardhshme për të firmosur kontratën.

Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesi i klubit Gerry Cardinale është shumë pranë dhënies së dritës jeshile për emërimin e Amorimit si pasues i Massimiliano Allegrit në stolin e Milanit. Ish-trajneri i Manchester United është tashmë në pritje për të udhëtuar drejt Italisë, ku pritet të finalizojë marrëveshjen.

Kontrata e parashikuar mes palëve është për dy vite, me opsion zgjatjeje për një sezon të tretë, e lidhur me objektivat sportive të skuadrës. Amorim do të përfitojë rreth 3.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse të rëndësishme të lidhura me fitimin e kampionatit dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Portugezi ka fituar garën për stolin kuqezi ndaj emrave të tjerë si Jaissle, Glasner dhe Pochettino, duke u konsideruar zgjedhja ideale për projektin e ri të Milanit. Vendimi është ndikuar edhe nga drejtori teknik Zlatan Ibrahimović, i cili ka mbështetur fuqishëm ardhjen e Amorimit në “San Siro”.

Plani i klubit është që, menjëherë pas zyrtarizimit të trajnerit, të plotësohen edhe pozicionet drejtuese në strukturën sportive, përfshirë drejtorin teknik dhe drejtorin sportiv. Emri i Markus Krösche përmendet si kandidati kryesor për rolin e drejtuesit të ardhshëm të projektit, së bashku me mundësinë e afrimit të Timmo Hardung nga Gjermania.

Me këtë lëvizje, Milani synon të nisë një cikël të ri, duke ndërtuar një projekt ambicioz me një trajner të ri, modern dhe me ide të qarta për futbollin ofensiv.