Këngëtarja Perrie Edwards kurorëzon dashurinë me futbollistin e njohur

Këngëtarja e njohur britanike dhe ish-anëtarja e grupit “Little Mix”, Perrie Edwards, i ka dhënë fund beqarisë, duke kurorëzuar dashurinë e saj shumëvjeçare me futbollistin Alex Oxlade-Chamberlain në një ceremoni romantike në Portugali.

Çifti, i cili prej vitesh konsiderohet ndër më të dashurit e showbiz-it britanik, është martuar në fshatin piktoresk të Estoit. Ceremonia është zhvilluar në një kishë historike të shekullit të 16-të, ku të dy kanë shkëmbyer betimet përpara familjarëve dhe miqve të tyre më të afërt.

Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 70 të ftuar, duke krijuar një atmosferë intime dhe elegante në ditën më të rëndësishme të çiftit.

Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2016, ndërsa dalja e parë publike si çift u shënua në tapetin e kuq të “Brit Awards” në vitin 2019. Që prej asaj kohe, marrëdhënia e tyre ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e mediave dhe fansave.

Pas disa vitesh bashkë, çifti mirëpriti në jetë fëmijën e tyre të parë, djalin Axel, në gusht të vitit 2021. Më pas, në qershor 2022, Oxlade-Chamberlain i propozoi këngëtares, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në historinë e tyre të dashurisë.

Familja e tyre u zgjerua edhe më tej në janar të këtij viti me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Alanis Valentine. Pas tetë vitesh lidhje, dy fëmijëve dhe katër viteve fejesë, Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain kanë nisur zyrtarisht kapitullin e ri të jetës së tyre si bashkëshortë.