Ekzekutimi në Mirditë/ Valter Lleshi dyshohet se u vra për hakmarrje, lidhja me vrasjen e Anton Kelit
Hetimet për vrasjen e mëngjesit të sotëm në Mirditë po thellohen, ndërsa burime për SYRI bëjnë me dije se 45-vjeçari Valter Lleshi dyshohet se është ekzekutuar për motive hakmarrjeje.
Sipas të njëjtave burime, Lleshi, i cili ishte punonjës i një kompanie të nxjerrjes së bazaltit në zonën e Spaç, njihej edhe për lëvizjet dhe punën e tij me mjete të tonazhit të rëndë. Raportohet gjithashtu se disa muaj më parë, një prej automjeteve të punës që ai përdorte dyshohet se ishte pajisur me lëndë plasëse, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Vraja ndodhi në aksin rrugor Reps–Spaç, në fshatin Shkorrët, ku Lleshi, me origjinë nga zona e Fan, u gjet i pajetë brenda automjetit të tij. Policia ka rrethuar zonën dhe po vijon kontrollet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burime hetimore theksojnë se një nga pistat kryesore është ajo e hakmarrjes, ndërsa viktima dyshohet se ka pasur lidhje miqësore me fisin Reçi. Po ashtu, po verifikohet një konflikt i hershëm i dyshuar, ku Lleshi mund të jetë lidhur me vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen, në vitin 2020 i cili punonte si taksist në Rrëshen.
Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit.
Megjithatë, autoritetet policore sqarojnë se deri tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar apo i skeduar si i dyshuar për atë ngjarje, dhe çdo pistë mbetet ende në verifikim.