Berisha: Protestuesit të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, Rama duhet të gjykohet për genocid

Kreu i opozitës shqiptare ka reaguar pas pyetjeve të gazetarëve edhe për protestën që po zhvillohet kundër Edi Ramës.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, meqë ishim te protestuesit, kanë thirrur në ditën e tyre të 15 me pankartën "Rama në burg, Berisha në burg". Si e vlerësoni ju këtë?

Sali Berisha: Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do mund të zëvendësojë atë, por opozita s'i ka zënë vendin askujt.

Ndaj dhe i ftoj qytetarët, të rinjtë, demokratët të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, e që është e vërteta dy tre sorosianëve. Të jemi të mirëkuptuar.

Jo, s'ka nevojë t'i them unë, i gjeni vetë aty.

Ndaj dhe unë përshëndes shumë përzemërsisht ata qindra, mijëra qytetarë dhe të rinj të cilët në fakt po çlirojnë këtë vend nga diktatura më e shëmtuar, në disa aspekte edhe më e dëmshme sesa ajo e totalitarizmit, sepse kjo ka përzënë 1 milion e 300-400 mijë shqiptarë në 10 vite.

Dhe ky është një dëm i tmerrshëm, që do të paktën në një kurs normal 40 vite, minimumi 40 vite për t'u kompensuar.

Dhe për këtë Edi Rama, ky është një genocid i mirëfilltë. Genocid i mirëfilltë sipas konventës së OKB-së dhe Edi Rama meriton të gjykohet për genocid.